Erling Haaland është një makinë golash. Nuk është asgjë e re, por penalltia që shënoi kundër Brighton i lejoi sulmuesit norvegjez të vendoste një tjetër rekord të pabesueshëm: ai është lojtari më i ri që ka arritur 150 gola për Manchester Cityn. E ka bërë këtë në vetëm 173 paraqitje, duke ardhur nga një rekord i jashtëzakonshëm i Premier League disa javë më parë: 100 gola në 111 ndeshje në ligën angleze, ku ai tashmë është shpallur golashënuesi më i mirë dy herë në tre vitet që nga ardhja e tij.
25-vjeçari vazhdon t’i afrohet golashënuesve më të mirë në historinë e klubit të Mançesterit, megjithëse golashënuesi më i mirë, Sergio Aguero (260 gola) mbetet shumë larg. Në javët në vijim, sulmuesi, i cili ka 26 gola në 27 ndeshje këtë sezon, mund të arrijë në vendin e katërt në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të klubit: Joe Hayes dhe Billy Meredith kanë nga 152 gola, ndërsa Colin Bell (midis viteve 1966 dhe 1979) është me 153.
Numri 9 i Pep Guardiolës është takuar së fundmi me një tjetër kampion sporti, ish-luftëtarin e MMA-së Khabib Nurmagomedov, i cili po vizitonte qendrën stërvitore të City-t. Duke ripostuar foton me Khabib-in me mbishkrimin “Mentaliteti”, Haaland pa dashje ka “zbuluar” një nga motot sekrete të ekipit, e cila u shfaq në një ekran pas tyre. Këto janë fjalët ndërsa ata hynin në dhomën e zhveshjes, të marra nga një postim motivues i publikuar në X nga një tifoz i njohur: “Ne nuk dorëzohemi. Ne përshtatemi. Ne reagojmë. Ne i kthejmë dështimet në zgjidhje. Ne nuk jemi të dobët. Ne jemi Klubi i Futbollit Manchester City”.
Pavarësisht performancave të jashtëzakonshme të sulmuesit të tyre, City u ndal në një barazim 1-1 kundër Brighton, barazimi i tretë radhazi në Premier League pas atyre kundër Sunderland dhe Chelsea.


