Kalimi i Herri Kejn te Bajern Mynihu konsiderohet çështjet e mbyllur sipas mediave angleze, e ku takimi i ditë së sotme me protagonist shefin e bavarezëve Jan-Kristian Dresen e presidentin e Totenhemit, Daniel Levi, do t’i vënë kapak negociatave. Fillimisht dita e premte e javës së kaluar ishte caktuar në agjendën e palëve, por ajo nuk u realizua si pasojë e rrethanave ende të paidentifikuara.
ÇMIMI- 87 milionë euro do të jetë çekun i Bajernit në adresim të “gjelave” londinezë në “rrëmbimin” e bomberit 30- vjeçar. Në këtë kuotë janë të përfshira të gjitha bonuset, më e lartë se dy ofertat paraardhëse, konkretisht 70 milionë euro dhe 80 milionë euro.
ULJA E PRETENDIMEVE- Nga Ishulli pohohet se Levi do të luajë “blofin” deri në 90 milionë paund, saktësisht 10 milionë paund me e ulëta krahas pretendimeve fillestare. Megjithatë raportimet pranë Totenhemit theksojnë me bindje se Levi nuk do të bëjë çmenduri për ta mbajtur deri në verën e vitit 2024, kohë ku atij i skadon kontrata me ekipin aktual, e për pasojë londinezët nuk do të arkëtonin asnjë qindarkë të vetme.
DËSHIRA E KEJNIT- Herri në diskutimet me presidentin Levi dhe trajnerin Angleso Postekolgu u ka bërë të qartë se ai nuk ka ndërmend të vazhdojë aventurën në ekip dhe dëshiron me ngulm zhvendosjen te kampionët e Bundesligës. Madje, goleadori 30-vjeçar nuk e pati të vështirë të refuzonte propozimin e PSG-së, pavarësisht kushteve ekonomike, të cilat do të ishin më të favorshme, si për të, ashtu edhe në radhët e “gjelave’.
KËMBËNGULJA E TUHELIT- Futbollisti me numër “10” në “Tottenham Hotspur Stadium” është caktuar si objektivi kryesor në listën e trajnerit Tomas Tuhel. Rendimenti i dobët nga kontingjenti aktual me pozita ofensive nuk i dha sinjalet e duhura 49-vjeçarit, e në këtë mesele ai beson se me Kejnin në ekip ata i kanë të gjithat “kreditet” e nevojshme për të rikthyer diktatin në kontinentin e vjetër.
STATISTIKAT- Kryeshënuesi i Totenhemit konkretizoi 32 gola dhe 5 asiste përgjatë 49 prezencave në të gjitha turnetë e etapës 2022-2023 me “gjelat”, statistikë e arritur në harkun kohorë të 4.302’ minutave. Të dhënat në fjalë janë komponent i rëndësishëm se bomberi i përfaqësueses së “tre luanëve” do të jetë “guri” i duhur për t’i rikthyer buzëqeshjen tifozëve bavarezë, pas një sezoni plot oshilacione.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL