Sezoni fantastik i Bajernit në ciklin 2023-2024 ka bërë që Herri Kejn të marrë rolin e “heroit” me finalizimet e njëpasnjëshme. Leroi Sane, Matis Til dhe Kingsli Koman kanë dhënë gjithashtu kontribut të vyer në shënimin e golave, pa anashkaluar talentin Xhamal Musiala. Por puna e trajnerit Tomas Tuhel është “tkurrur”, duke i lënë më tepër hapësirë kritikave.
Debatet mes Lotar Mateus dhe Ditmar Haman kanë krijuar jo pak “zhurmë” në media. “Bild” në raportimin e fundit ka zbuluar planin taktik, që tekniku 50-vjeçar kërkon të implikojë tek grupi në stërvitje e ditës së enjte. Burimi në fjalë tregon imazhin e tabelës taktikë që Tuheli mban në dorë, e cila flet qartë mbi orientimin e lojtarëve në reparte të caktuar.
“SKEMA SEKRETE” –
Ndonëse kampionët e Bundelsigës aplikojnë modulin “klasik” 4-2-3-1, fotoja e mësipërme “zhvesh” idetë e “timonierit” të bavarezëve. Dy qendrat mbeten të palëvizura, ndërsa koristë respektive, ngjiten deri në mesfushë, duke krijuar linjën me 4 futbollistë, pra dy mbrojtësit anësore dhe 2 “regjisorët” e grupit. Në kushtet normale Dejvis-Kimish-Gorecka-Mazraui do improvizojnë risinë e trajnerit 50-vjeçar.
Pritet që ky plan i bavarezëve të vihet në jetë, duke nisur me takimin ndaj Eintraht Frankfurtit, e planifikuar të zhvillohet ditën e shtunë. Forca goditëse e kampionëve në sulm mbetet e pandryshuar. E gjithë rezymeja e vendos theksin tek mesfusha, e cila do të shërbejë si shtysa e ekipit deri në limitet e zonës rivale. Presioni dhe rigjenerimi i forcave në mesfushë do t’ia bëjë më të thjeshtë furnizimin e sulmit me topa nga mbrapa.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI- PANORAMASPORT.AL