Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, u shfaq tepër i lumtur pas triumfit 2-0 që kuqezinjtë arritën në shtëpi ndaj Lacios. Tekniku 57-vjeçar në prononcimin e dhënë pas ndeshje për mediat italiane, ndër të tjera u shpreh:
“Futbolli është i jashtëzakonshëm, sepse të jep emocione të forta dhe mund të ndryshojë drejtimin e gjërave në një kohë shumë të shkurtër. Pas derbit nuk menduam se rrugëtimi ynë kishte përfunduar, por ishte një fillim i ri.
Skuadrat e forta duhet të gjejnë vazhdimësi. Jam i kënaqur me skuadrën. Në pjesën e parë nuk dhamë asnjë ritëm ndërsa në të dytën kishte energji, ritëm, pasion, cilësi.
Sot jam një trajner i kënaqur, por tashmë i shqetësuar për ndeshjet e ardhme sepse puna dhe përgatitja nuk ndalon kurrë.
Tifozeria është fantastike dhe energjia që transmetojnë është e mirë pasi e sjellin te djemtë në fushë. Shpresoj që kjo të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e mundur: duke parë lojtarët kaq të lumtur që luajnë në San Siro më bën të ndihem mirë.
Tani ne jemi një ekip. Nuk ka më futbollistë që duhet të përshtaten. Tani ne jemi një grup i fortë, koheziv që kujdeset dhe kur është kështu, unë jam në gjendje të jap gjithçka që kam. Do të vijë edhe momenti i Joviç së shpejti”, u shpreh Pioli.
PANORAMASPORT.AL