Ish-lojtari i NBA-së, Paul Pierce, u arrestua të martën në mbrëmje nën dyshimin se po drejtonte mjetin në gjendje të dehur në një autostradë të Los Anxhelosit, pasi u gjet në gjumë pas timonit, njoftoi policia shtetërore.
Oficerët e Patrullës së Autostradës së Kalifornisë u përgjigjën rreth orës 22:40 për një aksident të veçuar me disa automjete në krahun verior të autostradës amerikane U.S. Highway 101, duke mbyllur katër nga gjashtë korsitë për hetime, bëri të ditur agjencia në një deklaratë për shtyp.
Kur korsitë u rihapën rreth një orë më vonë, ata panë një makinë Range Rover të ndalur në rrugë, në jug të vendit ku kishte ndodhur aksidenti. Oficerët e gjetën Pierce-in të fjetur pas timonit dhe “vërejtën shenja të konsumimit të alkoolit”, ndaj zhvilluan një hetim për drejtim në gjendje të dehur, thuhet në njoftim.
Ai u arrestua për akuzën e kundërvajtjes së drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit, e cila do të shqyrtohet nga zyra e avokatit të qytetit të Los Anxhelosit.
Pierce ka luajtur për Boston Celtics për 15 sezone, dhe së fundmi për LA Clippers përpara se të tërhiqej në vitin 2017. Ai ka luajtur gjithashtu për Brooklyn Nets dhe Washington Wizards.
Dhjetë herë pjesëmarrës në ndeshjet “All-Star” dhe lojtari më i mirë (MVP) i finales së NBA-së në vitin 2008, Pierce u fut në “Naismith Memorial Basketball Hall of Fame” në vitin 2021.
Së fundmi, ai ishte bashkëprezantues i “Speak”, një emision sportiv në Fox Sports, i cili u anulua në korrik 2025.