Analisti i njohur i transferimeve, Fabrizio Romano, raporton se Milani i është afruar ish-legjendës së Real Madridit, Luka Modrić, i cili tashmë është lojtar i lirë, për të realizuar ëndrrën e tij të hershme për të luajtur në “San Siro”.
Mesfushori kroat ka përfunduar kontratën e tij me Real Madridin pas 13 viteve të lavdishme, gjatë të cilave ka fituar çdo trofe të mundshëm në nivel klubesh.
Megjithëse mbush 40 vjeç në shtator, Modrić është ende i etur të vazhdojë karrierën si futbollist. Inter Miami në SHBA dhe Al-Nassr në Arabinë Saudite janë dy nga opsionet e mundshme për të.
Sipas Romanos, drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare, ka kontaktuar personalisht Modrićin për të parë nëse ai do të ishte i interesuar për një aventurë në Serie A dhe te Milani.
Një transferim te Milani do të përfaqësonte një eksperiencë të re për Modrićin, i cili ka luajtur në vendlindjen e tij (Kroaci), në Angli me Tottenhamin (2008–2012) dhe në Spanjë me Real Madridin që nga viti 2012.
Duke qenë se është një agjent i lirë, Milani do të kishte mundësi t’i ofronte një pagë të majme, ndoshta edhe me ndihmën e marrëveshjeve të sponsorizimit.
Sipas “MilanNeës.it”, Modrić ka deklaruar më parë se ka qenë tifoz i Milanit që në fëmijëri, gjë që për kuqezinjtë përbën një shpresë të madhe për ta bindur atë që më në fund të veshë fanellën kuqezi.
“Modrić është një milanist i vërtetë. Ka qenë që kur ishte fëmijë dhe gjithmonë ka pasur dëshirë të vinte këtu, por kurrë nuk u bë diçka serioze. Ai nuk donte të largohej nga Real Madridi pas një sezoni të dobët,” – ka zbuluar ish-drejtuesi i Milanit, Zvonimir Boban.
Trajneri i ri i Milanit, Massimiliano Allegri, gjithashtu është i interesuar për të punuar me yllin kroat.