Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka komentuar gjendjen aktuale të skuadrës para ndeshjes së mbrëmjes së sotme kundër Atalantës, që luhet në “New Balance Arena” të Bergamos në orën 19:45.
Milani po përballet me disa mungesa të rëndësishme, pasi gjashtë lojtarë janë të lënduar. “Nuk e kishim planifikuar që gjashtë lojtarë të dëmtoheshin njëkohësisht gjatë pushimit të kombëtareve, kjo nuk ndodh çdo ditë. Por kemi një skuadër të fortë dhe duhet të vazhdojmë kështu deri në dhjetor, pastaj do të vlerësojmë me trajnerin për të ardhmen,” tha Tare për DAZN Italia.
Ndërkohë, Santiago Gimenez pritet të jetë titullar sonte, edhe pse po kalon një periudhë pa gola. “Ai duhet të relaksohet. Kjo ndodh me çdo sulmues. Ka besimin e klubit, të trajnerit dhe të shokëve të skuadrës. Gimenez ka treguar se është një golashënues i madh dhe kjo është vetëm një fazë e përkohshme,” shtoi drejtori sportiv.
Milani aktualisht kërkon qëndrueshmëri pas barazimit 2-2 ndaj Pisas fundjavën e kaluar, që i kushtoi vendin e parë në Serie A.


