Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera europiane, do të kalojë këtë fundjavë në orën dimërore. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, më 25 tetor, akrepat e orës do të kthehen një orë prapa, duke i dhënë fund periudhës së orës verore për vitin 2026.
Konkretisht, në orën 03:00 të mëngjesit, akrepat duhet të zhvendosen në orën 02:00. Kjo do të thotë se qytetarët do të fitojnë një orë më shumë gjumë, ndërsa drita natyrale do të shfaqet më herët në mëngjes. Megjithatë, me afrimin e muajve të dimrit, mbrëmjet do të errësohen më shpejt.
Ndryshimi i orës është një praktikë e njohur si Ora e Kursimit të Verës (Daylight Saving Time – DST), e cila synon shfrytëzimin sa më efikas të dritës së diellit dhe reduktimin e konsumit të energjisë. Sistemi parashikon avancimin e orës gjatë muajve të ngrohtë dhe rikthimin e saj në periudhën dimërore.
Megjithëse kjo praktikë zbatohet në një pjesë të madhe të Europës dhe Amerikës së Veriut, shumë vende të Azisë dhe Afrikës nuk e aplikojnë ndryshimin sezonal të orës.
Historia e këtij koncepti daton prej më shumë se dy shekujsh. Ideja fillimisht i atribuohet Benjamin Franklinit, i cili në vitin 1784 sugjeroi përdorimin më të mirë të dritës natyrale gjatë verës.
Më vonë, biznesmeni britanik William Willett e promovoi fuqishëm këtë ide në fillim të shekullit XX dhe publikoi në vitin 1907 artikullin “The Waste of Daylight” (Humbja e Dritës së Ditës), duke argumentuar se ndryshimi i orës do të sillte përfitime ekonomike dhe sociale.
Megjithatë, modeli mbi të cilin bazohet sistemi modern i sotëm lidhet me punën e entomologut nga Zelanda e Re, George Hudson. Në vitin 1895, ai propozoi zyrtarisht zhvendosjen sezonale të orës, duke argumentuar se orët më të gjata të dritës gjatë verës i mundësonin më shumë kohë për kërkimet dhe mbledhjen e insekteve.
Edhe pse debati mbi përfitimet e ndryshimit të orës vazhdon në shumë vende, për momentin qytetarët duhet të kujdesen që natën mes së shtunës dhe të dielës të rregullojnë orët manuale, ndërsa pajisjet elektronike në shumicën e rasteve do ta kryejnë automatikisht këtë proces.
/rtsh.al/