Shanset cilësohen të barabarta.
Të paktën, i tillë mendimi i trajnerit të Partizanit, Zoran Zekiç, në prag të ndeshjes së kthimit në Champions ndaj BATE-s së Borisovit.
Të kuqtë do të përpiqen të jenë të denjë për këtë parashikim të teknikut të tyre, ndërsa këtë të hënë në mëngjes u zhvendosën nga Tirana në Hungari.
Udhëtimi nisi në orën 08:00 me fluturimin nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, për të mbërritur në Budapest, e pastaj për të udhëtuar rreth 1 orë e gjysmë me autobus për në qytetin Mezokoveshd ku do të luhet sfida këtë të martë në orën 20:00.
Barazimi 1-1 nuk e bën Partizanin favorit, por gjithsesi loja e zhvilluar në “Arenën Air Albania” jep shpresë.
Me ekipin udhëtoi edhe Eros Grezda që pati dëmtim në ndeshjen e kontrollit të shtunën, dhe gjasat janë që mund të ketë minutash.
Nëse të kuqtë kualifikohen, ata do të luajnë në raundin e dytë ndaj Arisit të Limasolit, skuadrës nga Qipro, në 25/26 korrik dhe 1/2gusht.
Kjo do të jetë një sfidë tepër e vështirë, e nëse Partizani nuk e kalon, ai do të kalojë në raundin e tretë të Ligës së Europës, në pjesën e paracaktuar për ekipet që vijnë nga Championsi.
Nëse do të eliminohen, atëherë kampionët e Shqipërisë do të jetë në turin e dytë të Ligës së Konferencës ku do të përballet me fituesin e çiftit Atletik Klub të Andorrës-Buduçnost i Podgoricës.
Të ardhurat financiare, edhe nëse do të ketë vetëm eliminime do të arrijnë në 1 milion euro, ndërsa në raundin e dytë të Championsit do të ketë 400 000 euro më shumë, të cilat padyshim do të shtohen më shumë në raundin e tretë të Ligës së Europës.
Kjo do të thotë se me pak fat dhe meritë, kampionët e Shqipërisë mund t’i afrohen 2 milionë eurove, por kjo do të ndodhë vetëm nëse kalojnë BATE-n./ h.ll/abcnews.al