Superiorja ka një kampion të ri. Egnatia fitoi titullin e parë kampion në historinë e klubit, ku në “Air Albania “shkurorzoi” Partizanin. “Demat” kështu duhet të kënaqen me vendin e dytë në Superiore dhe me pjesmarrjen në Conference League.
Pavarësisht humbjes, të kuqtë nuk dalin “duarbosh” nga nga ky sezon. I renditur si vend i dytë në Superiore pas 36-javëve, kryeqytetasit përfitojnë 70 milionë lekë, shumë kjo që jepet nga FSHF-ja si shpërblim. Një shifër e konsiderueshme për të kuqtë që mund ta përdorin për të përforcuar ekipin para pjesmarrjes në kompeticionet europiane.
Kujtojmë se Egnatia si vend i parë merr 100 milionë lekë, vendi i tretë i siguruar nga Vllaznia merr shpërblim 50 milionë lekë. Ndërkohë Skënderbeu si vend i 4-të shpërblehet me 20 milionë lekë.
Rrogozhinasit që u shpallën edhe kampionë të “Final – Four” marrin edhe 100 milionë lekë nga FSHF-ja. Gjithashtu skuadra e Edlir Tetovës ka koleksionuar edhe 50 milionë lekë të tjera si fituese e Kupës së Shqipërisë.