Presidenti i La Liga, Javier Tebas, ka paralajmëruar se futbollistët po arrijnë në një “pikë thyerjeje”, duke theksuar rreziqet e dëmtimeve që lidhen me një kalendar gjithnjë e më të ngjeshur.
Duke folur në Londër në një samit mbi performancën dhe shëndetin, të organizuar nga sindikata globale e lojtarëve (FIFPRO), drejtuesi spanjoll deklaroi se veprimet vendimtare nga FIFA dhe UEFA janë thelbësore.
Ndër aktivitetet që përkeqësojnë ngarkesën tashmë të tepërt të punës, Tebas përmendi versionin e ri dhe të zgjeruar të Kupës së Botës për Klube, si dhe Kupën e Botës me 48 ekipe që u mbajt së fundmi në Amerikën e Veriut.
“Disa lojtarë ia dalin të rezistojnë, pak a shumë, por në fund arrihet një pikë e pashmangshme thyerjeje,” deklaroi Tebas. “Nëse nuk ndryshojmë kurs, situata e përgjithshme do të përkeqësohet drastikisht sepse është e paqëndrueshme”.
“Në vend që të ulim ngarkesën për lojtarët, ne po e rrisim atë. Nëse nuk e trajtojmë problemin, futbolli do të pësojë dëme“, tha Tebas, që shtoi se organet drejtuese të futbollit duhet të shkojnë përtej konsultimeve të thjeshta me palët e interesuara.