Tedi Cara është kthyer në emrin kryesor të sulmit të Partizanit në Europë dhe këtë tashmë e mbështetin edhe statistikat e tij.
Sulmuesi kavajas, nga sot është edhe golashënuesi më i mirë në kompeticionet e UEFA-s në historinë e të kuqve.
Lojtari ishte në kuotën e 4 golave të shënuar deri në ndeshjen e sotme ndaj Atletik Eskaldes, teksa ndante vendin e parë me Dorjan Bylykbashin dhe Stenio Zhunior. Por me dy golat e shënuar ndaj skuadrës modeste nga Andorra, Cara ia doli që të merrte i vetëm kryesimin në këtë renditje historike për të kuqtë.
Cara ka shënuar 2 gola në vitin 2021, kur ekipi luajti ndaj Sfintul George, teksa gjeti rrjetën në secilën nga sfidat në Ligën e Konferencës kundër asaj skuadre në atë edicion.
Në sezonin e kaluar ai shënoi një gol ndaj Saburtalos, po në këtë turne.
Ndërsa në edicionin aktual, ai shënoi fillimisht në Ligën e Kampioneve një gol ndaj BATE Borisov, teksa sot shtoi dy të tjerë në Ligën e Konferencës për të vendosur rekordin për të kuqtë.