Mbrëmjen e së hënë, “Legjionarët” e Kombëtares së Shqipërisë do të zhvillojnë në stadiumin “Friends Arena” të Stokholmit, në testin e dytë zyrtar para fazës së grupeve, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, teksa si kundërshtar do të kenë Kombëtaren e Suedisë, me “Vikingët”, që ka jo pak emër në futbollin botëror.
Skuadrës “Kuqezi” i duhet një paraqitje shumë ndryshe dhe mbi të gjitha të fitojë lojën dhe sigurinë e humbur në miqësoren e parë të marsit. Këtë e di mirë tekniku brazilian, që pritet të bëjë rregullimet e tij në formacion, por edhe në kërkesat teknike dhe taktike për lojtarët e tij.
Megjithatë, një vendim të tillë pritet të marrë edhe tekniku i sudezëve, i cili duhet të hedhë pas krahëve humbjen poshtëruese, 5 me 2, nga “Luzitanët” e Portugalisë dhe për këtë aryse, në “Friends Arena” të Stokholmit pritet një duel i fortë dhe i luftuar, me teknikun Jon Dahl Tomasson, i cili gjatë konferencës për shtyp theksoi se do të bëjë ndryshime në miqësoren e radhës, duke zbuluar edhe dy lojtarë që do e nisin nga minuta e parë përballë “Kuqezinjve” të Sylvinho.
“Duhet të përmirësojmë gjithçka. Ne duhet të përmirësohemi në mbrojtje dhe në mënyrën se si të luajmë futboll të bashkuar. Plani ynë ka qenë gjithmonë i njëjtë, duam të bëjmë sa më shumë ndryshime. Sigurisht që përballë Shqipërisë nuk do të luajnë të njëjtët titullarë të takimit me Portugalinë.
Ne duam të shohim dhe provojmë sa më shumë futbollistë në Kombëtare, duam të ketë konkurrencë të madhe. Dhe konkurrenca pozitive është gjithmonë e shëndetshme.
Do të bëjmë disa ndryshime, por nuk mund të zbuloj se sa. Emil Forsberg do e nisë nga minuta e parë. Udhëtimi i gjatë nga SHBA dhe ndryshimi i orarit, ndikoi të mos e niste titullar ndaj Portugalisë, por do të jetë titullar me Shqipërinë. E njëjta gjë vlen edhe për Samuel Gustafson. Edhe ai do e nisë nga minuta e parë. Në çfarë roli do të luajë Forsberg? E sigurt që jo në portë”,- u shpreh duke buzëqeshur tekniku i kombëtares suedeze.