Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, nuk ishte i kënaqur me homologun e tij Diego Simeone të enjten në mbrëmje, pasi “Los Blancos” u kualifikuan në Superkupën e Spanjës. Fitorja 2-1 nuk ishte tema kryesore e diskutimit, pasi vëmendja u përqendrua kryesisht te përplasja mes Vinicius Juniorit dhe Simeones.
Ky i fundit bëri çmos për ta provokuar Viniciusin, duke i thënë se presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ishte gati ta largonte nga klubi. Simeone i bëri shenjë Viniciusit të dëgjonte fishkëllimat e tifozëve të Real Madridit, diçka që braziliani nuk e priti aspak mirë.
Alonso reagoi në fushë teksa situata filloi të nxehej, duke i bërtitur Simeones: “Ti përqendrohu te lojtarët e tu, për Zotin.” Pavarësisht tensionit në rritje, fokusi kryesor i Alonsos ishte të sigurohej që lojtarët e tij të mos përfshiheshin në telashe të tjera, përtej kartonit të verdhë që mori Viniciusi. Real Madridi ishte ndëshkuar më herët këtë sezon, kur Endrick Felipe u përjashtua nga pankina për ankesat e tij muajin e kaluar.
Natyrisht, kjo u bë një temë e madhe edhe në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ku Alonso shprehu zhgënjimin e tij me Simeonen.
“Nuk më pëlqeu ai moment. Cholo i tha diçka dhe këto gjëra shkojnë përtej respektit bazë. Nuk më pëlqen që kolegët të trajtohen në atë mënyrë. Jo gjithçka lejohet. Fola me Viniciusin dhe kjo mbetet mes nesh,” tha ai për MD.
“Përpiqem të jem i respektueshëm me lojtarët e ekipit kundërshtar dhe zakonisht nuk u drejtohem atyre. Kur pashë se çfarë kishte thënë, më pëlqeu edhe më pak. Kjo nuk është shembull i një sportisti të mirë. Jo gjithçka lejohet, duhet të ketë respekt për kundërshtarin. Çdo gjë që ndodh në fushë ka një kufi.”
Dy ekipet do të përballen sërish në mars në “Bernabeu”, ku pa dyshim Simeonen e pret një reagim i nxehtë. Pas ndeshjes, edhe Vinicius reagoi ndaj Simeones në rrjetet sociale, duke shtuar edhe më shumë narrativat që rrethojnë derbit e Madridit.


