Wednesday, 14. October 2026
Sport

Tensionet në protestë, Policia thirrje protestuesve: Shmangni aktet e dhunës, distancohuni nga personat e maskuar

GS 14/10/2026 2 Min. Lesezeit

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin aktet e dhunës gjatë protestës, duke kërkuar gjithashtu që të distancohen nga personat e maskuar që sulmojnë efektivët dhe dëmtojnë pronën publike e private.

Në një apel drejtuar pjesëmarrësve në protestë, Policia thekson se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj.

Sipas Policisë së Shtetit, strukturat përkatëse janë në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e qytetarëve, ushtrimin e së drejtës për tubim paqësor, si dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe institucioneve.

“Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubim të ruajnë qetësinë, të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmojnë punonjësit e Policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private. E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj.

Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari, ushtrimin e të drejtës së tubimit paqësor, mbrojtjen e jetës, pronës dhe institucioneve. Apelojmë për ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale përpara ligjit. Policia e Shtetit do të vijojë të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet”, bën thirrje Policia e Shtetit.

Protestuesit janë mbledhur sërish sot para Ministrisë së Arsimit, ndërsa nuk kanë munguar aktet e dhunës, pasi një grup protestuesish të maskuar kanë shkulur kangjellat që ndajnë rrugën nga trotuari dhe kanë hedhur molotovë, gurë e lëndë plasëse në drejtim të institucionit.

/rtsh.al/

Teilen: