Teo Hernandez duket se do të ndahet në mënyrën më të keqe të mundshme me Milanin pasi po bën gjithnjë e më shumë veprime që po e kthejnë në një emër të urryer mes tifozëve kuqezinjve. Lojtari i cili mban shpesh edhe shiritin e kapitenit te Milanit, ka tërbuar klubin dhe mbështetësit me veprimet e fundit që ka kryer e që padyshim do të shtojë vërshëllimat ndaj tij në stadium.
Në ndeshjen e fundit ndaj Komos, në pushimin e ndeshjes, Teo Hernandez kishte kërkuar të zëvendësohej, duke nxjerrë si pretendim dhimbje në pulpën e këmbës. Trajneri Konseisao kishte qenë kundër, por në fund ishte dorëzuar para kërkesës së tij, duke hedhur në fushë A. Himenez.
Por vetëm 2 ditë pas këtij problemi “shqetësues” për të, Teo Hernandez është shfaqur i qeshur në grumbullimin e përfaqësueses franceze. Nuk është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës, por ka preferuar të rrijë në Francë, ndryshe nga Markus Turam i Interit i cili është kthyer që të rikuperojë dëmtimin në kavilje me stafin e Interit.
Sinjale të qarta se tashmë mes tij dhe Milanit ka një krisje të thellë, që nuk duket se do të riparohet dhe po çon drejt lamtumirës në verë të lojtarit, kontrata e të cilit përfundon në vitin 2026.
PANORAMASPORT.AL