Portieri i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen, ka ndarë mendimet e tij pas fitores së vështirë 2-1 të ekipit të tij ndaj Real Valladolid.
Ishte një moment i rëndësishëm për portierin gjerman, i cili u rikthye në aksion pas 223 ditësh jashtë fushave për shkak të një dëmtimi.
“Mezi e prisja këtë ndeshje dhe është gjithmonë më mirë kur largohesh me një fitore”, tha Ter Stegen.
“Po ruajmë të njëjtin moment pozitiv, i cili është thelbësor. Tani, na presin disa ndeshje emocionuese.”
Duke reflektuar mbi rikthimin e tij të shumëpritur në fushë, Ter Stegen pranoi rëndësinë e fitores si për të ashtu edhe për ekipin.
“Pasi kam qenë jashtë për kaq shumë kohë, është mirë të kthehem, veçanërisht me një fitore. Ka qenë një periudhë sfiduese, por mbështetja e ekipit ka qenë e jashtëzakonshme”, vazhdoi tutje portieri gjerman.
Portieri foli gjithashtu për vështirësitë e hasura gjatë ndeshjes, veçanërisht në golin e Valladolid ku pikërisht ai gaboi.
“Të humbasësh 1-0 gjithmonë i bën gjërat më të vështira, veçanërisht në çdo ndeshje jashtë fushe. Ata nuk kishin asgjë për të humbur dhe është për të ardhur keq që ranë në Segunda sepse janë një ekip i fortë me tifozë të shkëlqyer”.
Ter Stegen më pas vlerësoi unitetin e ekipit të Barcelonës dhe lidershipin e trajnerit Flick.
“Flick ka arritur të gjejë një ekuilibër të mirë brenda skuadrës. Disa lojtarë luajnë më shumë minuta se të tjerët, por ne jemi të gjithë të bashkuar si ekip. Nëse fitojmë, është më mirë për të gjithë”, deklaroi portieri gjerman.