Nuk ndodhte prej dy vitesh që Interi të humbiste dy ndeshje radhazi. Kjo, thjesht për të kuptuar se nuk jemi përballë një momenti “normal” për Simone Inzagin dhe skuadrën e tij.Asgjë nuk është e zakonshme. Dhe ka nevojë, për ta thënë me fjalët e Barelës, “të japim edhe atë që nuk kemi”. Trajneri e ka nisur planin. Sapo përfundoi derbi me Milanin, ai “dëgjoi” heshtjen në dhomat e zhveshjes, pa fytyrat e lojtarëve dhe vendosi që dita në vijim (pra të enjten) të ishte ditë pushimi e plotë, sepse në këto momente duhet stërvitur mendja. Dhe sepse është gabim të besohet se problemi janë këmbët.
Sigurisht, minutat e shumta të luajtura, për të cilat flasim në një faqe tjetër, janë pa dyshim një faktor. Por dje, në shtëpinë zikaltër, qarkullonte një batutë: Kupën e Italisë e humbëm në minutën e 94-t të Bolonja-Inter, me golin e Orsolinit. Si për të thënë: nëse Interi do të kishte dalë me një barazim nga “Dall’Ara”, qasja dhe zhvillimi i ndeshjes me Milanin do të kishin qenë, me shumë gjasa, ndryshe. Por “nëset” vlejnë pak tani. Ajo që ka rëndësi është të kuptohet si të rifillohet dhe të përshpejtohet.
MBLEDHJE- Dje, Inzagi u rikthye me skuadrën në “Appiano”, analizoi si atë që ndodhi ndaj Milanit, ashtu edhe duke hedhur sytë drejt ndeshjes me Romën. Ideja është e qartë: të rikuperohen të dëmtuarit në funksion të skuadrës, duke u përpjekur të balancohet kujdesi për të shmangur rikthimin e dëmtimeve me nevojën për të rikthyer lojtarët kyç në dispozicion. Pikërisht për këtë arsye, tre lojtarët e dëmtuar, Dumfris, Zielinski dhe Turam, ishin gjithsesi të pranishëm të enjten në “Apiano”. Asnjë ditë pushimi për ta, por punë shtesë. Situata është kjo: anësori dhe mesfushori do të jenë të gatshëm për ndeshjen kundër Romës.
Nuk do të nisin titullarë, asnjëri prej të dyve. Por është e arsyeshme të mendohet se mund të ndihmojnë gjatë lojës. Turam, në anën tjetër, është pak më prapa me rikuperimin. Përveç ndonjë surprize, sulmuesi pritet të kthehet direkt për ndeshjen ndaj Barcelonës. Dhe me idenë për të qenë menjëherë titullar në Ligën e Kampionëve. Janë tre rikthime kyç. Sepse në Interi ka lojtarë… dhe pastaj ka lojtarë. Ka zëvendësues… dhe zëvendësues. Dhe në disa role – siç theksohet edhe në anën tjetër të faqes – diferenca mes titullarëve dhe atyre që i zëvendësojnë është shumë e madhe, të paktën për të përballuar ndeshje të nivelit të lartë si ato ndaj Bolonjës dhe Milanit. Kështu, Dumfris është një lojtar që nuk mund të zëvendësohet lehtësisht për shkak të karakteristikave të tij, sidomos duke parë gjendjen aktuale të Darmianit.
Zielinski do t’i japë mundësi Inzagit të çlodhë mesfushorët e brendshëm dhe ndoshta edhe të bëjë që Çalhanoglu të marrë frymë në regji, pa qenë e nevojshme të përdoret Asllani. Dhe në sulm, pa pasur nevojë për shumë fjalë, Turam me Lautaron janë shumë larg të gjithë të tjerëve.
DY FINALE- Ja pra që strategjia do të ndryshojë nga ky moment e tutje. Sidomos gjatë muajit maj. Inzagi thotë se “luajmë të gjitha si finale të Kupës së Botës” dhe nuk gabon: Interi është pa rrjetë sigurie. Pa mundësi gabimi. Prandaj bëhet fjalë për të shtrënguar dhëmbët edhe për tri ndeshje të tjera: Roma, ndeshja e parë me Barcelonën dhe Verona. Përkthyer: rrotacioni, ndryshimet sistematike që Inzagi ka aplikuar që nga fillimi i sezonit, janë drejt fundit. Ndërrimet do të shihen deri në ndeshjen ndaj Veronës më 3 maj. Pastaj, nga ndeshja e kthimit me Barcelonën e tutje, Inzagi do të ecë përpara me më të mirët në çdo sfidë, duke kufizuar ose zhdukur pothuajse fare rrotacionin për katër ndeshjet e fundit të sezonit.
Dhe kjo, gjithashtu, me shpresën që t’i shtohet edhe një ndeshje tjetër për t’u luajtur më 31 maj në Mynih. Pra, maksimumi me më të mirët. Edhe sepse ky Inter ka treguar një problem të vogël: ka nevojë për një nivel të lartë forme dhe për disa lojtarë të pazëvendësueshëm për të shfaqur lojën e tij. Përndryshe, bëhet një skuadër e normale. Mbi të gjitha, një skuadër që nuk di të veshë një “kostum” shumë ndryshe nga ai që mban zakonisht. Mund ta bëjë këtë për disa fragmente loje – lexo: dy ndeshjet ndaj Bajernit – por jo si plan i qëndrueshëm. Qëllimi, në çdo rast, është të shmanget mallkimi i “zero titujve”. Tani skuadra ndien më shumë peshën sesa gëzimin e 51 ndeshjeve të zhvilluara deri tani. Ja pra, Inzagi në orët në vijim do të duhet të përmbysë këtë humor. Dhe ndoshta t’i mbështetet një statistike: kurrë, me Interin, nuk ka humbur tri ndeshje radhazi.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL