Katër gola të shënuar, dy të pësuar, shtatë pikë dhe vendi i katërt. Me numrat në dorë, ky është bilanci i “terapisë Tudor” në shtëpinë e Juventusit.
Me tri lëvizje, trajneri i ri bardhezi ka bërë një tronditje në ambient dhe ka rikthyer skuadrën në zonën Champions. I ardhur për të vënë rregull në grup dhe për të arritur objektivin minimal të sezonit, kroati e ka thjeshtuar menjëherë manovrën, ka bërë disa rregullime taktike në skemë dhe i ka dhënë udhëzime të qarta lojtarëve, duke u përpjekur të shfrytëzojë karakteristikat individuale në vend që t’i përshtasë, t’i detyrojë apo t’i shtyjë në një ide të ngurtë loje. Gjithçka me më shumë vrap, intensitet në presion, ritëm në ndërtim dhe vertikalitet.
RISIA- Lëvizje që menjëherë i dhanë më shumë siguri skuadrës, çliruan disa lojtarë nga detyra të tepërta në të dy fazat dhe sollën shtatë pikë të çmuara për të lënë pas turpërimet me Atalantën dhe Fiorentinën dhe për të rifilluar garën për Champions-in. Në daljen e parë kundër Xhenoas, ishte një numër i Jildiz që zgjidhi çështjen, më pas erdhi 1-1 me Romën, me gol të kapitenit Lokateli, dhe në fund fitorja 2-1 me Leçen, e vendosur nga Kopmeiners dhe sërish nga një gol i numrit 10 bardhezi. Dy fitore dhe një barazim që, falë edhe kalendarit, e kanë rregulluar klasifikimin, kanë kthyer Juven në vendin e katërt (që nuk ndodhte që nga java e 28-të) dhe kanë rishkruar disi edhe hierarkitë në skuadër.
HIERARKITË- Sapo mbërriti në Kontinasa, Tudor i ktheu menjëherë besimin Vlahoviçit, duke e vendosur sërish në qendër të sulmit dhe të projektit në vend të Kolo Muanisë. U përpoq të rikuperonte Kopmeinersin dhe riktheu Jildizin në rolin e trekuartistit. Dhe pikërisht nga talenti turk erdhën përgjigjet më të mira. Ndërsa Dushan tregoi vetëm në disa momente disa sinjale pozitive si dy asistet ndaj Leçes, në tre ndeshje Kenan arriti menjëherë të gjejë pozicionin e duhur në fushë për të nxjerrë në pah cilësitë e tij teknike, të shënojë dy gola të bukur dhe të rëndësishëm dhe të fitojë një rol protagonisti në garën për Champions-in. Një ndjekje e shpejtë dhe ende për t’u konsoliduar në një fund sezoni që, përveç përballjeve direkte me Lacion dhe Bolonjën, duket se mund t’u japë shanse të rëndësishme bardhezinjve për të arritur objektivin.
PANORAMASPORT.AL