Dita e testit të dytë. Kuqezinjtë do të kërkojnë të lënë pas atë humbje që la shije të hidhur me Kilin dhe sot në orën 19:00 do të përballen në një tjetër ndeshje miqësore me Suedinë në Stokholm.
Përballja e gjashtë në histori dhe e dyta si miqësore, ekipi i Silvinjos do kërkojë të tregojë personalitet ndaj suedezëve që drejtohet nga trajneri danez Tomason. Ky, do të jetë një test shumë i rëndësishëm në përgatitjet për Europianin e Gjermanisë. Trajneri brazilian ka mundësinë që të provojë disa lojtarë, të cilët mund të jenë të vlefshëm për në listën finale të qershorit.
Përgatitjet – Pas sfidës me Kilin, Kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet për miqësoren e dytë të marsit ndaj Suedisë. Kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore paraditen e së shtunës në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës, ndërsa pasdreke janë nisur drejt Suedisë. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Etrit Berisha ka udhëtuar me ekipin për sfidën ndaj Suedisë. Pas dëmtimit të pësuar, gjendja e portierit kuqezi është më e mirë dhe do të monitorohet gjatë gjithë kohës nga stafi mjekësor.
Stërvitja e fundit – Pas përfundimit të konferencës zyrtare për media të trajnerit Silvinjo dhe mesfushorit Ylber Ramadani, skuadra zbriti në fushën e lojës dhe kreu seancën stërvitore në stadiumin “Friends Arena”, duke mbyllur kështu edhe përgatitjet për duelin miqësor ndaj Suedisë. Kuqezinjtë nën drejtimin e trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik u stërvitën për më shumë se një orë në stadiumin e ndeshjes. Skuadra ka punuar më shumë me topin, pa ngarkesa fizike dhe gjendja e lojtarëve është e mirë. I gjithë fokusi është vetëm te sfida e dytë miqësore e marsit ndaj Suedisë.
Formacioni – Sa i përket titullarëve që Silvinjo do të hedhë në fushë ndaj Suedisë, ashtu siç u shpreh në konferencën për shtyp, do të ketë 2 ose 3 ndryshime në formacionin startues. Kjo do të diktohet edhe pasi të vlerësohet sot gjendja fizike e lojtarëve, sepse të premten kanë luajtur një ndeshje të fortë e fizike kundër Kilit. Dilema patjetër që ka, por në portë Silvinjo pritet t’i besojë sërish Strakoshës, duke qenë se edhe Berisha nuk është i rikuperuar plotësisht. Në mbrojtje, mendohet një ndryshim në krahun e djathtë, me Hysajn që mund t’i hapë vendin Balliut, ndërsa pjesa tjetër e pandryshuar. Në mesfushë do të jetë: Ramadani, Asllani dhe Bajrami, ndërsa nga krahët mund të ketë lëvizje. Ka balotazh mes Asanit dhe Muçollit e po ashtu nga krahu tjetër mes Hoxhës dhe Seferit. Në majë pritet ta nisë sërish Rei Manaj, por nuk përjashtohet edhe një surprizë e Silvinjos me Brojën përpara.