Përfaqësuesja e Gjermanisë do përpiqet të “ndreqë” imazhin në arenën ndërkombëtare pas disfatës së beftë ndaj Turqisë, ndonëse ata luajtën përpara tifozërisë së tyre. Trajneri Julian Nagelsman, edhe pse i vendosur në “uraganin” e kritikave pas disfatës, shto manovrën e çuditshme me Havercin si mbrojtës ia ka dalë t’i bëjë ballë presionit në konferencën para mediave, teksa ka gjetur shpjegim për çdo dyshim mbi evoluimin e “pancerave”.
FORMACIONI- “Po e mendoj se çfarë pritet të jetë ndryshe krahas duelit me Turqinë. Tepër i rëndësishëm pozicionimi i lojtarëve dhe posedimi i topit. Pas stërvitjes përfundimtare do të kem mundësi të jem më i kthjellët. Mos prisni ndonjë zhvendosje të madh në kontingjentin titullar, por do të ketë disa freski”, shtoi Nagelsman.
SHORTI I “EURO 2024”- “Sigurisht që nuk shqetësohem më për skuadrat që do të kemi përballë. Jemi përpjekur të gjejmë kundërshtarët e duhur në rrugëtimit drejt Kampionatit Europian. S’ia kam frikën asnjë rivali. Ne duam të fokusohemi dhe të japim më të mirën, pjesa tjetër i takon fushës”, tha me nota të larta optimizmi trajneri i Gjermanisë.
AUSTRIA- “Favorit si gjithmonë, ama kjo s’ka rëndësi për mua. 90′ minuta do prezantojnë gjykimin final se cili ekip e meritoi fitoren. Synimi është të jemi më të mirët në fushë dhe ta hedhim pas krahëve humbjen e fundit. Austria ka shumë lojtarë të mirë në gjirin e saj, të cilët aktivizohen në ekipe elitare. Trajneri Rangnik ka punuar mirë me ta dhe grupi ka bërë progres për t’u duartrokitur. Rivalin e konsideroj pa të voglin dyshim si tepër të rrezikshëm. Austriakët janë përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit dhe pres ndeshje të dyluftuar”.
VENDIMI PËR HAVERCIN- “Kush tha se ishte eksperiment?! I kam analizuar me kujdes karakteristikat e Havercit dhe kam dalë në konkluzion se ai futbollist mund ta luajë pa problem krahun e majtë të mbrojtjes, ndonëse nuk është një mbrojtës tipik. Nuk jam penduar aspak që Kai ishte në linjën e prapavijës, madje ai mbetet opsion edhe në takimin e sotëm. Repertorin e gjerë të Havercit në fushë e shoh si vlerë e shtuar në ekip, e ku mund të japë kontributin nga çdo cep i fushës”, përfundoi Julian Nagelsman me nota të larta vlerësimi kundrejt futbollistit me numër “7” te Gjermania.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL