Mançester Siti rrezikon të barazojë një statistikë të frikshme pasi ecuria e tyre pa fitore u shtri në shtatë ndeshje radhazi.
Kampionët humbën 2- 0 ndaj Liverpulit të dielën, ndërsa forma tronditëse e klubit vazhdoi. Kampionët mirëpresin Notingem Forestin në “Etihad” sonte mbrëma dhe me një barazim ose humbje kjo do t’i shihte ata të arrinin një shifër katastrofë të rivalëve të Mançester Junajtid. Nën drejtimin e Luis van Galit në sezonin 2015-16, “Djajtë e Kuq” bënë tetë ndeshje pa fitore. Kjo mbetet periudha e tyre më e gjatë pa fitore në epokën pas Sër Aleks Fergusonit.
Junajtid barazoi me Lestërin, Uest Hemin, Çelsin dhe PSV-në si dhe humbi ndaj Bornmëthit, Noruiçit, Stok Sitit dhe Volfsburgut. Ata shënuan pesë gola dhe pësuan 10 në atë periudhë që zgjati 33 ditë mes nëntorit dhe dhjetorit. Siti ka barazuar me Fejnordin dhe ka humbur ndaj Bornmëthit, Sportingut, Brajtonit, Liverpulit dhe dy herë Totenhemit.
Ata kanë shënuar 7 gola, por kanë pësuar 19 të tjerë. Barazimi 3- 3 me Fejnordin në Champions javën e shkuar ndërpreu serinë e tyre prej 5 humbjesh radhazi, që për herët të fundit klubi e kishte pësuar në 2006 nën drejtimin e Stjuart Pirsit. Pep Guardiola nuk kishte humbur kurrë në karrierën e tij katër ndeshje radhazi.
PANORAMASPORT.AL