Ecuri perfekte e Barcelonës gjatë muajit që lamë pas. As tifozi më ‘i sëmurë’ i ekipit ‘blaugrana’ nuk do ta kishte besuar që në pesë ndeshjet e muajit tetor, kryesuesit e La Ligas do të merrnin pesë fitore me një golaverazh të përgjithshëm 21 gola të shënuar dhe vetëm dy të pësuar.
Dhe të mendosh që mes ‘viktimave’ të të besuarve të gjermanit Hansi Flick ishin Bayerni në Champions dhe Reali i Madridit në La Liga.
Muaji nisi me fitoren e thellë 0-5 në fushën e Young Boys, në Champions League, më pas suksesi 0-3 në fushën e Alaves, për të vijuar me fitoren e thellë 5-1 ndaj Sevillas në kampionat.
Por më e mira ende nuk kishte ardhur: Barcelona mori një fitore të madhe 4-1 përballë Bayernit, skuadër ndaj së cilës kishte pësuar së fundmi gjashtë humbje radhazi, për të kulmuar me shkatërrimin 0-4 të Realit në “Bernabeu”.
Si rezultat, La Liga u ka akorduar katalanasve tri çmime: trajneri më i mirë i tetorit (Hansi Flick), futbollisti më i mirë i tetorit (Robert Lewandowski) dhe Lojtari më i mirë U-23 i tetorit (Pedri).