Teuta merr edhe Trifonin nga Apolonia, durrsakët “blindojnë” sulmin
Klubi durrsak vazhdon me prezantimin e lojtarëve, edhe pse merkatoja është mbyllur. Siç ishte paralajmëruar nga dje, Teutës i është bashkuar zyrtarisht tashmë edhe sulmuesi Xhovalin Trifoni, i cili vjen nga Apolonia.
“Pas marrëveshjes së arritur me klubin FK Apolonia, sulmuesi Xhovalin Trifoni bëhet zyrtarisht pjesë e KF Teuta. Në pjesën e parë të sezonit me Apoloninë, Trifoni numëron 14 paraqitje dhe 5 gola, duke treguar formë dhe instinkt golashënues.
Me energjinë, përvojën dhe cilësinë që e karakterizon, jemi të bindur se Trifoni do të sjellë gola, emocione dhe forcë shtesë për fanellën blu. Mirë se erdhe në Durrës, Xhovalin!” – shkruan klubi durrsak në njoftimin për afrimin e sulmuesit Trifoni.
Gjatë merkatos së dimrit Teuta ka bërë shumë lëvizje, që kanë ndryshuar edhe sulmin. Janë larguar Zela, Beshiraj dhe Fadairo. Në anën tjetër, janë afruar Vagner Gonçalves, Santiago Puzzo dhe tashmë Trifoni.