Ndahet nga jeta në moshën 101-vjeçare akademiku Luan Omari, një nga figurat më të shquara të jurisprudencës shqiptare.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar ndarjen nga jeta të akademikut Luan Omari, një prej personaliteteve më të spikatura të shkencës juridike dhe mendimit akademik shqiptar.
Akademik Omari u nda nga jeta më 29 tetor 2026, në moshën 101-vjeçare.
Në njoftimin e bërë në rrjetet sociale, Akademia e Shkencave e cilëson humbjen e tij si një goditje të madhe për shkencën dhe kulturën shqiptare, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm që ai dha për dekada me radhë në fushën e kërkimit shkencor, arsimit të lartë dhe zhvillimit të së drejtës në Shqipëri.
Luan Omari ishte anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe ka mbajtur detyrat e sekretarit shkencor dhe zëvendëskryetarit të këtij institucioni.
Gjatë jetës së tij akademike dhe profesionale, ai luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e mendimit juridik shqiptar dhe në forcimin e institucioneve demokratike e të shtetit të së drejtës.
I lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita të spikatura kulturore dhe arsimore, Omari kreu arsimin e hershëm në Bari të Italisë, ndërsa studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua në shkencat juridike.
Karriera e tij u lidh ngushtë me arsimin e lartë shqiptar. Ai shërbeu si docent i së Drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për afro dy dekada dhe profesor i Teorisë së Shtetit dhe të së Drejtës, si dhe i së Drejtës Publike.
Përtej veprimtarisë akademike në vend, profesor Omari përfaqësoi Shqipërinë në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke kontribuar në debatet mbi demokracinë dhe të drejtën kushtetuese në nivel europian.
Ai është autor i dhjetëra studimeve, botimeve dhe monografive kushtuar historisë së së drejtës shqiptare, së drejtës publike, së drejtës kushtetuese dhe sistemit juridik shqiptar. Gjithashtu, ai ishte pjesë aktive e proceseve kushtetuese pas viteve ’90 dhe kontribuoi në debatet për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe legjislacionit themelor të shtetit.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në vitin 2020 u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ndërsa në vitin 2016 Akademia e Shkencave e nderoi me Çmimin e Karrierës Akademike.
Akademia e Shkencave u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit shkencor për humbjen e akademikut Luan Omari.
Ndërkohë, nderimet dhe homazhet në kujtim të tij do të zhvillohen më 30 tetor 2026 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Në orën 10:00 do të mbahet Akademia Solemne në sallën “Aleks Buda”, ndërsa homazhet do të zhvillohen nga ora 11:00 deri në 13:00. Më pas, në orën 13:00, kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, do të mbajë fjalën e lamtumirës për akademik Luan Omarin.
Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humbet një prej mendjeve më të ndritura të jurisprudencës dhe një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e arsimit, shkencës dhe institucioneve shqiptare.
/rtsh.al/