Thierry Henry, një nga ‘yjet’ më të mëdhenj të futbollit botëror, ka bërë kritika të ashpra ndaj paraqitjes së Vinícius Júnior në humbjen e Real Madrid kundër Liverpool-it.
“Madrilenët”, të cilët nuk shënuan për herë të parë këtë sezon, hasën shumë vështirësi për të krijuar raste për gol.
Ish-sulmuesi i Francës u shfaq veçanërisht kritik ndaj lojës së anësorit të majtë të Real Madridit, duke analizuar fillimisht ekipin si tërësi.
“Unë nuk e kuptoj. Duhet të luash me atë që ke përpara, duhet të shfrytëzosh momentin. Edhe nëse nuk ka askënd në zonë, të paktën e detyron kundërshtarin të tërhiqet 30 metra prapa dhe pastaj mund t’ia pasosh topin një mesfushori, që mund të godasë nga distanca,” – tha ai për CBS Sports.
“Ndonjëherë lojtarët përpiqen të jenë tepër të rafinuar pa qenë nevoja. Nëse ka hapësirë, pason topin, e qarkullon… ndonjëherë gjithçka duket tepër e programuar”, shtoi Henry, para se të kalonte te kritikat individuale për Vinícius.
“Vinícius Júnior e kishte Conor Bradley përballë në 5-7 minutat e para, e më pas e la të marrë frymë. Pse e lejon të marrë frymë? Sulmoje derisa të marrë një karton të verdhë dhe të mos mbrojë më njësoj, por kjo nuk ndodhi,” – theksoi ai.
Duke përshkruar një moment të ndeshjes, Henry vazhdoi:
“Kur po e shikonim ndeshjen, Vinícius mori topin në një situatë një kundër një pas një dueli të mirë në minutat e para me Conor Bradley-n, dhe e ktheu topin pas te mbrojtësi i majtë (Álvaro Carreras), për ta marrë sërish… dhe pastaj ishte një kundër tre! Pastaj sulmoi i vetëm kundër tre lojtarëve dhe mendova: prit, bëj llogaritë. Kishe një një kundër një, provo çfarë mund të bësh. Pse ta ktheje topin që të riktheheshe në një situatë një kundër tre? Ndonjëherë thjesht nuk e kuptoj,” – përfundoi ai me ton kritik.
Sulmuesi i Brazilit këtë herë luajti gjithë ndeshjen dhe mbajti shiritin e kapitenit pasi Federico Valverde doli i dëmtuar.


