Fitorja nuk i qetëson gjërat te ‘Djalli’. ‘Curva Sud’, edhe në transfertën e Veronës këndoi pak për Milanin, por shumë kundër klubit. Ose më mirë ta themi: shfryu sërish kundër lojtarëve dhe klubit. Lajmi i rifinancimit të kredisë nga ‘RedBird’, gjë e cila zgjat (shumë) kohën e drejtimit të Cardinale, nuk iu pëlqeu ultrasve kuqezinj, të cilët protestojnë prej ditësh.
‘Kurba’ këndoi kundër Cardinale dhe klubit në fillim, gjatë ndeshjes dhe në fund. Në pesë minutat e para të Verona-Milan 0-1 u dalluan qartë të gjitha thirrjet: ‘Kjo presidencë nuk na meriton’, ‘Nuk jemi amerikanë’ dhe ‘Cardinale, duhet ta shesësh Milanin’. Edhe në fund të pjesës së parë, si dhe gjatë pjesës së dytë, të tilla kore nuk munguan në stadium.
Ultrasit e kanë kontestuar fort menaxhimin e ‘RedBird’ prej disa kohësh, me ditë të tëra. Mendimet e pëshpëritura për javë të tëra shpërthyen të dielën e kaluar në Milan-Genoa, ndeshjen e festimit të 125-vjetorit të klubit kuqezi. Atë mbrëmje filluan thirrjet: ‘Na keni çarë trapin…’; ‘Ne nuk jemi amerikanë’; ‘Po largohesh apo jo?’; ‘Cardinale, duhet ta shesësh klubin’.
Zlatan Ibrahimovic u vërshëllye para ndeshjes, teksa u shfaq në ekranin e madh të stadiumit. Tifizët shfaqën edhe dy pankarta jashtë stadiumit. Në të parën shkruhej: ‘Drejtues të Milanit; ju kemi pritur dhe mbështetur deri në fund, por na keni ngopur me mediokritetin tuaj’. Në tjetrën shkruhej: ‘Menaxherë të paaftë, kompani pa ambicie, nuk jeni në lartësinë e historisë sonë’.
‘Kurba’ vazhdoi protestën edhe të hënën, jashtë ambientit ku Milani festoi 125-vjetorin e tij. Po ashtu, atë ditë u shpalosën dy pankarta: ‘Menaxherë të paaftë, kompani pa ambicie, ju nuk jeni në nivelin e historisë sonë’ dhe ‘Lojtarët pa dëshirë dhe dinjitet, ju jeni pasqyra e kësaj presidence’.
Pra, ultrasit në Verona nuk u ndikuan nga tri pikët e marra. Acarimi me klubin është zgjeruar edhe në raportin me lojtarët. Rrjetet sociale ndjekin këtë linjë… Askush nuk është i kënaqur me këtë Milan, i shtati në renditje, duke pritur që Bologna të luajë, por larg skuadrës së menduar në verë.
Klubi për tifozët është përgjegjës për zgjedhjet e profilit të ulët; Fonseca dhe jo Conte si trajner; në një farë kuptimi edhe Morata në vend të një sulmuesi me vlerë mbi 50 milionë euro. Ata kryqëzojnë drejtuesit që nuk e ekspozojnë veten, nuk e vënë fytyrën e tyre për ta mbrojtur Milanin, duke mos folur qartë. Lojtarët akuzohen se nuk kujdesen për fanellën dhe koncepti është pak a shumë i njëjtë me atë që Fonseca përsëriti në konferencën për shtyp: problem qëndrimi.
Trajneri në këtë kontekst është më pak i sulmuar. Të hënën kurba e la të parakalonte në heshtje, pa kritika dhe pa duartrokitje, me indiferencë të ftohtë. Në një kohë si kjo për Milanin, ky antagonizëm mes tifozëve, klubit dhe lojtarëve dhemb më shumë…