Lilian Thuram është një zë autoritar në botën e futbollit dhe sidomos në luftën kundër racizmit. Në deklaratat e publikuara nga “L’Equipe”, ai reagoi i indinjuar për ngjarjet e ndodhura në “Da Luz”, jo vetëm për atë që ndodhi në fushë, por edhe konferencën për shtyp të José Mourinho.
“Jemi në vitin 2026 dhe njerëzit me ngjyrë ende mund të poshtërohen në fushë. Racizmi është poshtërim. Vinicius i tregoi faktet, Kylian Mbappé i tregoi gjithashtu. Por jo, kaq nuk mjafton. Pse nuk iu besojmë këtyre dy lojtarëve? Sepse fjala e njerëzve me ngjyrë nuk konsiderohet e besueshme? Unë pashë një njeri të bardhë që e quajti ‘majmun’ një koleg me ngjyrë”.
Ai shtoi se instinkti i parë i shumë njerëzve të bardhë nuk është të vendosen në vendin e viktimës dhe të kuptojnë dhunën e përjetuar, ndaj akte të tilla vazhdojnë ende sot. Thuram kritikoi drejtpërdrejt Mourinhon për deklaratën e tij se “kjo ndodh në shumë stadiume”: “Kush jeni ju, z.Mourinho, për të vendosur çfarë ka të drejtë të bëjë Vinicius? Kjo fjali përçon superioritet të bardhë dhe narcizëm. Akti racist nuk kishte lidhje me sjelljen e tij, por me ngjyrën e lëkurës”.
Ai vazhdoi: “Mourinho sugjeron se mund të jetë faji i Vinicius, sikur ai vetë e kërkoi. Kjo është absurde. Disa njerëz ndihen superiorë dhe nuk arrijnë të vendosen në vendin e viktimave; iu duhet më shumë përulësi”. Sipas Thuram, “kur Mourinho përpiqet të na bindë se Vinicius është përgjegjës për racizmin që pëson, është patetike. Ai nuk e analizon si njeri, por si njeri i bardhë”.
Në fund, francezi vlerësoi gjyqtarin për ndërprerjen e ndeshjes dhe qëndrimin e Mbappé në mbrojtje të shokut të tij: “Të bardhët duhet të ndalojnë së menduari se po akuzohen; nuk jam këtu për të fajësuar, por duhet të marrin përgjegjësi që gjërat të ndryshojnë”.