Ylli i Argjentinës, Lionel Messi u bë lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Kupës së Amerikës të enjten, pasi arriti në 35 paraqitje në ndeshjen hapëse të turneut kundër Kanadasë.
Messi kishte ndarë rekordin me portierin kilian Sergio Livingstone që kur u shfaq në finalen e Copa America 2021 në Brazil, ku Argjentina triumfoi.
Paraqitjet e Messit janë shpërndarë në shtatë edicione të Kupës, duke filluar me turneun e vitit 2007 në Venezuelë, përcjellë KosovaPress.
Tetë herë fituesi i Topit të Artë mund të vendosë më shumë rekorde në kompeticionin e këtij viti – atij i nevojiten katër gola për të barazuar bashkatdhetarin Norberto Mendez dhe Zizinho të Brazilit si golashënues të të gjitha kohërave të Kupës së Amerikës me 17 gola.
Nëse Argjentina fiton turneun, Messi do të bëhet gjithashtu kapiteni i parë që fiton turne radhazi.