Për herë të parë pas 21 vitesh të ekzistencës së tyre, grupimi i njohur i tifozëve shqiptarë “Tifozat Kuq e Zi” nuk do të jetë i pranishëm në stadium për të përkrahur Shqipërinë në ndeshjen e 7 qershorit ndaj Serbisë.
Sipas tyre, kjo është vetëm hera e dytë në histori që nuk do të jenë në stadium, hera e parë ishte më 14 tetor 2014, kur, siç shprehen ata, “nuk na lanë shkijet”.
Kësaj radhe, arsyeja qëndron, sipas deklaratës, tek vetë Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), të cilën ata e akuzojnë për përjashtim të qëllimshëm dhe favorizim të interesave private.
Në thelb të reagimit të tyre është kundërshtimi ndaj mënyrës së shpërndarjes së biletave, të cilën e quajnë “farsë” dhe një “short të rremë”.
Sipas TKZ, ky sistem nuk ishte as transparent dhe as gjithëpërfshirës, por i ndërtuar për të garantuar bileta për agjencitë turistike dhe për të ushqyer pazaret që, sipas tyre, janë bërë të zakonshme.
Për më tepër, TKZ vë në dukje edhe koston tepër të lartë të biletave, që shkon nga 150 deri në 1000 euro, çka sipas tyre e kthen futbollin nga një aktivitet popullor në një ngjarje ekskluzive për të pasurit.
“Është e paimagjinueshme që një familje shqiptare mesatare, një prind me bashkëshorten dhe dy fëmijë, të duhet të paguajë rreth 600 euro për të ndjekur një ndeshje, aq sa kushton një javë pushime në qershor”, thuhej në reagimin e TKZ-së.
Kjo situatë, sipas tyre, reflekton politikën përjashtuese të FSHF-së.