Me rastin e vizitës të kreut të shtetit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Serbi, tifozët e skuadrës serbe të futbollit “Cërvena Zvezda”, ngritën një banderolë me një mesazh për kreun e shtetit serb, Alleksandar Vuçiq.
“Delije”, siç njohën këta tifozë, Zelenskyn e quajtën “nazist”, e për serbët e Kosovës thanë se “po derdhin gjak”, raporton media serbe “n1info”.
“Derisa ti e pret një nazist në Beograd, Serbët po derdhin gjak në Kosovën e kryqëzuar”.
Ndonëse fansat e klubit serb nuk e përmendën presidentin serb me emër, ky mesazh me shumë gjasë i drejtohet atij meqë ishte vetë ai që e priti presidentin ukrainas.
Në tribuna pati edhe shumë flamuj rusë, ndërsa pati edhe brohoritje: “Serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë”.
Ndërkaq, në pushimin e dy pjesëve të ndeshjes së “Zvezdës” me Novi Pazarin në kuadër të Superligës serbe, në stadiumin “Maracana” u lëshuan edhe këngë ruse.
Kujtojmë se presidenti Zelensky, në konferencën për media me homologun e tij serb, u pyet në lidhje me mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, ai tha se qëndrimi ukrainas për këtë çështje nuk ka ndryshuar.