Dhjetra tifozë të skuadrës Alianza kishin ngritur mbrëmë një memorial për viktimat e një shtypjeje tragjike në një stadium në El Salvador ku humbën jetën 12 persona.
Tifozët kishin vendosur një flamur me mbishkrimin “Prehuni në paqe” në murin e stadiumit, kurora me lule dhe kishin ndezur 12 qirinj, që përfaqësonin viktimat e ndeshjes mes skuadrave lokale Alianza FAS.
Autoritetet thanë se raportimet flisnin për një shtypje mes tifozëve në stadiumin me 35,000-vende Cuscatlan në kryeqytetin San Salvador.
Ndeshja ishte pezulluar dhe personeli i ndihmës zbrazi stadiumin teksa dhjetra policë e ushtarë erdhën në ndihmë të mjekëve.
Zëdhënësi i shërbimeve të emergjencës Carlos Fuentes, tha se më shumë 500 njerëz ishin trajtuar për plagë të ndryshme ndërsa 88 u shtruan në spital pas ngjarjes së rëndë.
Shtypja tragjike kishte nisur pas shembjes së një porte të stadiumit duke bërë që njerëzit të ngjesheshin nga turma, tha Fuentes.
Fredy Alexander Ruiz, një 28-vjeçar i mbijetuar tregonte për traumën e shikimit të njerëzve që shkeleshin përtokë, të vdekur e të plagosur.
“Unë kisha pesë njerëz sipër meje që po më mbysnin. Falë Zotit arrita të kap këmbën e një polici, i cili na nxorri jashtë mua dhe një mikun tim,” tha Ruiz.
Dje dhjetra tifozë të skuadrës Alianza ngritën memorialin e viktimave.