Tirana bën njoftimin e rëndësishëm për tifozët bardheblu. 26-herë kampionët e Shqipërisë lajmëruan në pasditen e së shtunës nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale nxjerrjen në treg të biletave për ndeshjen e kthimit ndaj Besiktas, sfidën e vlefshme për turin e dytë të Conference League.
Bardheblutë u mposhtën 3-1 në aktin e parë në ”Vodafone Arena” të Stambollit, pavarësisht një sfide të luftuar, ndërsa për ndeshjen e dytë do të kërkojë që numri i mbështetësve të jetë sa më i lartë dhe masiv në ”Air Albania.”
Si një klub modern dhe duke zbatuar çdo parametër europian, Tirana ka bërë të mundur që biletat për këtë takim të blihen edhe online, nëpërmjet sajtit “ebileta.al”. Ndërkohë që fanatikët e blerjes së biletave në mënyrë fizike mund të shkojnë në pikën e shitjes pranë stadiumit ”Selman Stermasi” ndërsa duke filluar nga data 1 gusht edhe pranë stadiumit “Air Albania”.
Njëlloj si në sfidën e turit të parë të Conference League përballë Dinamo Batumit, çmimi i biletave nuk është ndryshuar nga bardheblutë, teksa biletat pas porte në sektorët e tribunës N mund të blihen për 500 lekë, ndërkohë që në tribunën qëndrore çmimi është vendosur 1500 lekë.
Nga ana tjetër, çmimi i biletave në tribunën VIP është përcaktuar 4000 lekë, duke i dhënë mundësinë tifozëve të kenë alternativa të shumta për ndeshjen ndaj Besiktasit.
Tirana do të presë gjigandët turq të Besiktasit më 3 gusht në Air Albania, me takimin që do startojë në orën 20:00 dhe që do të keni mundësi ta ndiqni live dhe ekskluzivisht, në shtëpinë e futbollit.