Derbi i shumëpritur i kryeqytetit u mbyll me fitoren 3-0 të Tiranës. Një sukses plotësisht i merituar i bardhebluve përballë Partizanit që nuk rrezikoi asnjëherë. Për skuadrën e Bordin është fitorja e parë, ndërsa të kuqtë pësojnë humbjen e katërt radhazi.
Derbi ishte shkëndija që rindezi Tiranën, e cila arriti një fitore të pastër 3-0 kundër Partizanit në ndeshjen e parë të javës së gjashtë të kampionatit. Është fitorja e parë këtë sezon e bardhebluve, të cilët dhanë sinjale pozitive që në pjesën e dytë të ndeshjes së humbur me Dinamon. Partizani ndërkaq zhytet në krizë të thellë, me humbjen e katërt radhazi, ndërsa fitoren e vetme e ka arritur në javën e parë, kundër Vorës.
Në Arenën Kombëtare në Tiranë, dy skuadrat e nisën me mjaft dëshirë, me Partizanin që e luajti më tepër fillimisht topin, por pa aksione të rrezikshme. Episodi i parë vjen në minutën e 19-të dhe është gol. Pas një krosimi nga e djathta në zonën e Partizanit, portieri Hoxha bën një dalje të nxituar dhe Falaje me kokë shënon në portën e boshatisur. Reagimi i të kuqve është i dobët, ndërsa Tirana e galvanizuar luan me shpejtësi në kërkim të golit të dytë.
Në minutën e 29-të, Fernandez hyn në zonë por aty humbet kontrollin e topit që shkon te Patsatsia, dhe Marku, në përpjekje për t’ia marrë, godet këmbën e gjeorgjianit dhe gjyqtri Hamiti akordon menjëherë penallti.
Pas dy minutash mes verifikimit e protestave, Patsatsia merr përsiër ekzekutimin dhe tund rrjetën e Hoxhës. Ky i fundit, bashkë me Preka, largohen të dëmtuar me fillimin e pjesës së dytë, duke u lënë vendin Qirkos e Bytyçit, në dy zëvendësime të detyruara për të kuqtë.
Tirana rrezikon menjëherë me Fernandez, por Qirko del shpejt dhe i bllokon gjuajtjen. Partizani nuk rrezikon asnjëherë, ndërsa në minutën e 59-të Tirana ka edhe një herë mundësinë për golin e tretë, por sërish Qirko i mbyll portën Voglit, që më pas e humbet topin.
Në të 69-tën, Da Silva rrotullohet dhe gjuan drejt portës bardheblu, por pret Tafas i vëmendshëm. Pesë minuta më pas, Tabekou hyn në zonë nga e majta dhe harkon me të djathtën drejt shtyllës së largët, duke mposhtur Qirkon. Aty loja merr fund, me fitore të merituar për Tiranën, ashtu siç është edhe humbja për Partizanin, totalisht i çorganizuar e pa ide.
PARTIZANI-TIRANA 0-3
Shënues: Falaye 19’, Patsatsia 31’(11-m), Tabekou 74’.
Mbyllet sfida në “Air Albania”, Tirana ka mposhtur Partizanin me rezultatin 3-0, me golat e Falaye 19’, Patsatsia 31’(11-m) dhe Tabekou 74’.
74’ – Goooool! Tirana tregohet përsëri e saktë në veprimet sulmuese, mbrojtja e kuqe shembet, Tabekou ka mposhtur Qirkon.
69’ – Pas një aksioni të gjatë të Partizanit, Da Silva tenton portën bardheblu, por Tafas është i saktë me ndërhyrjen e tij.
54’ – Skuka tenton me një goditje në afërsi të zonës, por mbrojtja bardheblu ka evituar rrezikun.
49’ – Fernandez shfaqet rrezikshëm para portierit Qirko(i aktivizuar në vend të Hoxhës), por pa mundur ta kalojë atë, një mundësi e humbur.
Nis pjesa e dytë…
Mbyllet pjesa e parë në “Air Albania”, Tirana në avantazh 2-0 përballë Partizanit me golat e Falaye 19’ dhe Patsatsia 31’(11-m)
31’ – Gooooool! Tirana ka dyfishuar shifrat përballë të kuqve. Patsatsia ka fituar një 11-metërsh, të cilin e ka kthyer në gol. Mbrojtja e skuadrës së Partizani gabon përsëri.
22’ – Partizani kërkon të reagojë, Kote tenton me një goditje nga afër zonës por pa probleme për Tafas.
19’ – Goooool! Tirana ka kaluar në avantazhm pavarësisht minutave të mira të Partizanit. Një hezitim i mbrojtjes së kuqe dhe portierit Alban Hoxha i ka dhënë mundësinë Falaye që të shënojë me kokë.
7’ – Bintsuka ka mundësinë e parë në zonën bardheblu, por goditja e tij me kokë është pritur pa probleme nga Tafas.
3’ – Skuadra e Partizanit jep shkëndijat e para me një kundërsulm të shpejtë, por në momentet e fundit është neutralizuar nga mbrojtja bardheblu.
Ka nisur derbi mes Partizani dhe Tiranës, që hap dhe javën e 6-të të “Abissnet Superiore”
PARTIZANI: Hoxha, Preka, Janjeva, Marku, Atanaskoski, Ismaili, Kote, Hjumen, Garsia, Qokthi, Bintsuka.
Trajner: Mlladen Milinkoviç
TIRANA: Tafas, Valerianos, Lleshi, Soler, Vera, Fernandez, Haxhiu, Falaje, Vogli, Patsatsia, Tabeku.
Trajner: Roberto Bordin