Në një moment kyç të sezonit, kur çdo pikë mund të bëjë diferencën për kualifikimin në Ligën e Kampioneve, Juventusi përballet me një goditje të rëndë. Disa nga titullarët e saj nuk do të jenë në dispozicion për ndeshjen vendimtare kundër Udinezes.
Mbrojtësi Pier Kalulu ka marrë një pezullim dyjavor nga gjykatësi sportiv pas kartonit të kuq të marrë në sfidën kundër Lacios. Gjesti i tij i ashpër ndaj sulmuesit Valentin Kastejanos, i kushtoi jo vetëm ndeshjen, por edhe fundin e sezonit, duke mbyllur para kohe aventurën e tij në këtë kampionat. Por, problemet për trajnerin Igor Tudor nuk mbarojnë me kaq.
Dy titullarë të tjerë, Savona dhe Turam, të cilët hynë në ndeshjen kundër Lacios nën rrezikun e pezullimit, u ndëshkuan me karton të verdhë dhe, si pasojë, nuk do të jenë të gatshëm për sfidën ndaj Udinezes. Të tre lojtarët përbëjnë boshllëqe serioze në formacionin e parë të bardhezinjve, veçanërisht në një ndeshje që mund të vendosë fatin e pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve.
PANORAMASPORT.AL