Carlos Alcaraz nuk do të jetë pjesë e turneut të Romës që starton më datë shtatë maj dhe që përfundon më datë 19 maj.
Tenisti spanjoll ndjeu shqetësime në krahun e djathtë gjatë çerekfinales së Madridit ku u eliminua nga Rublev dhe në këtë formë, njoftoi që nuk mund të marrë pjesë në Itali pas edhe analizave të kryera.
“Ndjeva dhimbje në Madrid, kisha shumë shqetësime në krah. Bëra disa analiza dhe u zbulua një dëmtim muskulor që lidhet me një dëmtim të mëparshëm. Për fat të keq nuk mund të luaj në Romë, kam nevojë për pushim për t’u rikuperuar në mënyrë që të luaj në maksimumin tim”, u shpreh numri tre i botës.
Këto probleme fizike për Alcaraz kanë qenë mjaft të shpeshta në këtë periudhë pasi tenisti nga Murcia u detyrua të tërhiqej nga pjesëmarrja në turneun e Barcelonës dhe Monte Carlos duke humbur pikë të rëndësishme në klasifikimin e përgjithshëm. Tashmë, synimi i tij kryesor është pjesëmarrja në Grand Slam-in e Parisit, Roland Garros që starton më datë 20 maj.