Mesfushori italian Sandro Tonali, protagonist absolut në fitoren 2-0 të Newcastle ndaj Athletic Bilbaos në Ligën e Kampionëve, ka folur për të ardhmen e tij duke treguar qartësisht lumturinë që ndien në klubin anglez, por edhe kujdesin për të mos dhënë premtime afatgjata.
Në një intervistë për Sky Sport UK, Tonali, i cili ka kontratë me Newcastle deri në vitin 2029, u pyet nëse e sheh veten në klub për shumë vite. Ai u përgjigj:
“Kjo është një pyetje e vështirë, sepse në futboll duhet të mendosh vit pas viti. Nuk dua të them ‘do të qëndroj këtu për 10 vjet’ dhe më pas të largohem pas dy, tre apo pesë vjetësh. Vera e kaluar ishte e vështirë për mua dhe për Isak, por ky është futbolli. Nëse të shfaqet një mundësi e rëndësishme për jetën tënde apo për një tjetër ekip, duhet ta vlerësosh me kujdes. Tani për tani jam i lumtur këtu dhe nuk po mendoj për asnjë skuadër tjetër.”
Tonali ishte shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes pas paraqitjes së shkëlqyer ndaj spanjollëve, duke treguar pse është një nga figurat më të rëndësishme në projektin e Newcastle.
Kujtojmë se klubi anglez pagoi rreth 70 milionë euro për kartonin e tij nga Milani, plus 5 deri në 10 milionë euro bonuse në varësi të objektivave sportivë, duke e çuar vlerën totale të operacionit në rreth 80 milionë euro.


