Numërimi mbrapsht ka filluar, Parisi pret edicionin e 69-të të Topit të Artë.
Të hënën, më 22 shtator, vëmendja e gjithë botës së futbollit do të përqendrohet në Paris, ku do të zhvillohet ceremonia prestigjioze e Topit të Artë 2025, edicioni i 69-të i çmimit më të lartë individual në këtë sport.
Ngjarja do të mbahet në Teatrin ‘Chatelet’, një vend që tashmë është shndërruar në simbolin e shkëlqimit futbollistik dhe pritjes së yjeve më të mëdhenj të këtij sporti.
Ceremonia do të nisë në orën 15:00, dhe do të transmetohet në mbarë botën, me miliona tifozë që do të ndjekin me emocion shpalljen e futbollistit më të mirë në botë.
Këtë vit, gara për Topin e Artë është më e hapur dhe konkurruese se asnjëherë më parë. Në listë janë 30 futbollistë nga ligat më të mëdha evropiane, një përzierje mes yjeve të njohur dhe talenteve të reja që po shkëlqejnë në skenën botërore.