Çmimi i Madh i Barcelonës në Formula 1, përveçse konfirmoi superfuqinë e makinave MekLaren, të cilat shënuan dopietë me Oskar Piastrin dhe Landi Norrisin, nuk kaloi pa polemika.
Shkak u bë një veprim i rrezikshëm në xhirot e fundit të garës nga Maks Vershtapen, me pilotin holandez të Red Bullit, që i preu rrugën Xhorxh Rasëllit të Mercedesit.
Kjo i kushtoi edhe një penalizim me 10 sekonda kampionit në fuqi të botës, ndërsa ndezi zemërim të fortë të Mercdesi.
Shefi i skuadrës, Toto Volf, nuk i kurseu sulmet për Vershtapenin.
“Ishte një tërbim rrugor. Vershtapen u soll si shoferët më të këqij të taksive në Romë apo Napoli”, ishte komenti i fortë nga Volf në drejtim të pilotit holandez për manovrën e bërë në Montemolo, aty ku Maks nuk kërkoi që t’ia hapte rrugën Rasëllit, duke pasur kontakt me makinën Mercedes.
“Nuk e kuptova së çfarë kërkonte që të bënte. Doli nga kthesa katër pa i dhënë gaz. Mendova se kishte një problem me makinën, ndërsa Rasëll e kaloi, por menjëherë ai u rikthye për t’i prerë rrugën.
Nëse e ka bërë nga inati, kjo është e papranueshme. Ishte një sjellje shumë e rrezikshme dhe jashtë kontrolli, pa logjikë dhe pa respekt.
Pa dyshim e bëri me qëllim. E kam parë të bëhet disa herë në video-lojëra, por është hera e parë që ndodh në Formula 1.
Ndoshta në Formula E. Është një turp i vërtetë për fëmijët që ëndërrojnë të bëhen pilotë dhe shohin veprime të tilla.
Është një manovër e papranueshme. Jemi me fat që makinat e sotme janë kaq të sigurta, por nuk duhet ta marrim si të mirëqenë. Nuk e di çfarë i shkoi ndërmend”, deklaroi drejtuesi austriak i skuadrës Mercedes.
Nga ana tjetër, nuk mungoi as përgjigjja e Vershtapenit, e cila ishte sa e ashpër, as edhe ironizuese: “Nëse ankohet përsëri kështu, mendoj se do t’i sjell disa shami letre herën tjetër…”, shpjegoi piloti i Red Bullit, duke refuzuar të jepte më shumë detaje.
Tashmë, Vershtapen, përveç penalizimit, stjuardët i dhanë edhe 3 pikë penalizim në patentë, gjë që e çon atë në 11 nga 12 pikët e disponueshme. Përkthyer: kujdes Maks, pasi shkelja tjetër do të thotë skualifikim.