Shkëndija për ndeshjen e fundjavës me Vardarin do të kenë cilësi shtesë në raport me ndeshjen e fundit, pasi nga pezullimi kthehen Totre dhe Dita.
Shkëndija përgatitet intensivisht për ndeshjen e të dielës (xhiroja e 21) me Vardarin në Tetovë. Stafi teknik me futbollistët ka analizuar paraqitjen e fundit dhe tashmë shikohet para drejt sfidave të ardhshme.
Përballja e të dielës sheh skuadrën me dy elemente shtesë, pasi kthehen në kombinim futbollistë të rëndësishëm të formacionit. Ennur Totre dhe Bruno Dita kanë pastruar pezullimin dhe janë në kombinim për ndeshjen e të dielës.
Kapiteni mungoi me Gostivarin shkaku i pesë kartonave të verdhë (kompletoi 5 kartona në Shkup ndaj Makedonija Gj.P.), ndërsa zëvendës kapiteni Dita të dielën do të ketë paraqitjen e parë zyrtare në vitin 2024, pasi humbi dy ndeshjet e para (Makedonija Gj.P. dhe Gostivari) shkaku i kartonit të kuq në sfidën me Sileksin në fund të vitit 2023.
Kthimi i dy mesfushorëve vjen në moment të duhur, pasi të drejtë loje (pezullim) nuk ka Reshat Ramadani, i përjashtuar me të kuq të dielën e shkuar ndaj Gostivarit.
Shkëndija-Vardari luhet të dielën (03.03.2024) në Tetovë me fillim në orën 14:00.