Një epërsi prej dy golash për t’u mbrojtur, mundësia e jetës në San Siro dhe shpresa për ta mposhtur përsëri Interin. E parë nga perspektiva e Bodo Glimt, ndeshja e dytë e pla yoff në Ligën e Kampionëve mund të çojë në një arritje historike për ekipin norvegjez.
Në prag të ndeshjes, trajneri Kjetil Knutsen, megjithatë, iu rikthye ndeshjes së parë dhe ankesave të zikaltërve për fushën artificiale që nuk i plotësonte standardet e UEFA-s: “Nuk mund të bëj asgjë për këtë. Le të përqendrohemi në atë që mund të kontrollojmë. Manchester City as nuk e përmendi fushën… as ne nuk jemi mësuar me San Siron, por po mendojmë për gjëra të tjera”.
“Ajo që bëjnë të tjerët nuk është e rëndësishme për ne. Ata që përqendrohen shumë te të ftohtit dhe gjëra të tjera nuk janë të zgjuar sipas mendimit tim. Të luash në San Siro do të jetë prapëseprapë një dhuratë, duhet të jemi gati ta pranojmë”.
Një goditje ndaj ekipit të Cristian Chivu, pasi vetë trajneri, në një konferencë për shtyp më përpara, iu desh t’i përgjigjej një gazetari norvegjez i cili e pyeti nëse eliminimi i mundshëm i Interit mund të klasifikohej si “i turpshëm”. Absolutisht jo, sipas rumunit.
Knutsen foli më pas për Bodon e tij: “Ne kemi një vizion të fortë dhe intensiv për futbollin. U frymëzuam nga Liverpooli i Klopp-it, nga i cili kam marrë komplimente javët e fundit. Ka lojtarë që duan të vijnë këtu. Nuk është një qytet i madh, por mund të mësosh të luash futboll. Ne jemi modestë”.
Dhe për ndeshjen me Milanin: “Nuk duhet vetëm të mbrohemi, duhet të mendojmë sikur të ishim 0-0 dhe të mos qëndrojmë shumë poshtë në qendrën tonë të gravitetit. I gjithë ekipi duhet të ndihmojë në mbrojtje dhe pastaj në sulm. Në ndeshjen e parë luajtëm mirë në mbylljen e ndeshjes, jemi përmirësuar”.