Pritjes i ka ardhur fundi. Sonte në mbrëmje në orën 21:00 Dortmundi dhe Reali i Madridit do të përballen mes tyre në finalen e madhe të Ligës së Kampioneve. Fjalën e fundit për “los blancos” e ka mbajtur arkitekti i skuadrës në stol, Karlo Ançeloti. Italiani ka gjithçka të matur për finalen e Champions. Deri në bisedën që do të bëjë në dhomat e zhveshjes në “Wembley”. Do të bëjë thirrje për qetësi, për t’i bërë gjërat me arsye. Si gjithmonë…
FINALJA – “Një finale e Ligës së Kampionëve është ndeshja më e rëndësishme dhe më e rrezikshme në të njëjtën kohë. Duhet të kënaqesh sa më shumë që të jetë e mundur të jesh këtu. Dhe kur arrin fillon shqetësimi se mund të shkojë keq. Gjëja më e rëndësishme është të fitosh Ligën e Kampionëve, por më pas frika. Të arrish në një finale është shumë e vështirë, shumë e vështirë. Jemi aq afër suksesit saqë kemi frikë”, tha Karlo Ançeloti në konferencën për shtyp, i cili nuk dyshon se Champions-i është kulmi i një futbollisti. “Liga e Kampionëve nuk është një obsesion, po fitimi i Championsit është diçka shumë e rëndësishme. Sezoni i Realit ka qenë shumë i suksesshëm, pavarësisht se çfarë do të ndodhë në finale”.
KARAKTERI I REALIT – “Kjo është një pyetje e ndërlikuar. Por ka diçka të veçantë në këtë klub. Ajo që ndodh këtu nuk është një rastësi. Historia, tradita, karakteri , cilësia… Ndodh aq herë sa nuk është rastësi”.
ÇELËSI – Ançeloti ka gjithçka të llogaritur për finalen e Champions-it. “Gjëja më e rëndësishme për këtë lloj ndeshjeje është të vendosësh ide të qarta në kokën e lojtarëve. Sa më e qartë të jetë, aq më pak nerva do të ketë ekipi. Emocionet vijnë dhe secili i trajton ato sipas karakterit të tij. Do të ketë emocione, shqetësime, frikë… Por frika është një pjesë e rëndësishme për t’i bërë gjërat mirë këtë sezon: cilësia dhe sakrifica e ekipit kanë qenë mbresëlënëse”.
10 VJET NGA CHAMPIONSI I 10-të – “Asgjë nuk ka ndryshuar… ah po, unë jam dhjetë vjet më i moshuar (qesh). Por ndihem ende i ri, është e vërtetë. Hera e parë që isha në një finale të Champions League ishte dhjetë vjet më parë dhe kam mësuar shumë. Ky brez është i aftë të bëjë gjëra të mëdha… dhe ka ende lojtarë që ishin atje dhjetë vjet më parë. Është e mahnitshme, nëse mendoni për këtë.
PANORAMASPORT.AL