Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin besohet të ketë ironizuar me kapitenin e Helvetikëve, Granit Xhakën në një deklaratë dhënë pas barazimit shokues me Bjellorusinë.
Zvicra dhe Bjellorusia barazuan 3:3 në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024.
Sipas asaj që raporton medium zviceran “Blick”, Yakin ka ironizuar me Xhakën për një deklaratë që ky i fundit e kishte dhënë pas hedhjes së shortit.
“Të tjerë kanë thënë se duhet të marrësh dhjetë fitore në dhjetë ndeshje në këtë grup” – ka thënë Yakin, njofton “Blick”, përcjell lajmi.net.
Trajneri dhe kapiteni i Zvicrës thuajse gjatë gjithë kampanjës kualifikuese nuk kanë pasur raporte të mira ndërmjet vete.
E gjitha nisi nga kritika e Granit Xhakës në Prishtinë pas ndeshjes me Kosovën (2:2) kur ai kritikoi ritmin e stërvitjeve.
Me barazimin ndaj Bjellorusisë, Zvicra bie në vendin e dytë me 15 pikë, një më pak se Romania lidere.
Në Grupin I bën pjesë edhe Kosova që ka humbur të gjitha gjasat për kualifikim. Kosova është e katërta në renditjem e shtatë pikë./Lajmi.net/