N jë debutim më mah nitës nuk mund të kishte pasur për Julian Nagelsmanin. Trajneri i Gjermanisë edhe pse e nisi mes shumë kritikave, në periudhën e fundit ka arritur që të gjejë balancat e duhura në formacion dhe pa dyshim që ka qenë meritë e tij nëse “Pancerat” kanë nisur që të trembin sërish, por mbi të gjitha që të rigjejnë edhe kampionë si Toni Kros, të shohin një Xhamal Musiala si lojtar universal dhe mbi të gjitha pati të drejtë duke zgjedhur Emre Xhanin, pas sëmundjes së Pavloviçit.
“Doni të vërtetën, kjo Gjermani më mahniti edhe mua. Në 20 minutat e para ishim thjesht të pabesueshëm dhe në çdo top që preknim, në çdo vrapim që bënim tregonim shumë potencë, shumë forcë, shumë dëshirë. Ishim të gatshëm që të luftonim në çdo top dhe të bënim gjënë e duhur. Ishte gjithçka perfekte deri në fund. Madje, pikërisht dëshira që treguam për të shënuar deri në sekondën e fundit është ajo që më jep një ndjesi shumë pozitive dhe mund të shohim të gjithë më të sigurt përpara. Në çdo presion të rivalit dinim se ku do të shkonte topi, ndaluam thuajse gjithçka Skocia tentoi të bëjë.
5 gola nuk shiheshin prej kohësh? Të shënosh shumë është e rëndësishme, pasi kemi vuajtur disi kohën e fundit, por të shënosh shpejt të ndihmon që të jesh më i qetë, pastaj të bësh 2 apo 3 që në pjesën e parë është ajo që të dhuron edhe ëndrrën e madhe. Mendoj se ishte një hap i parë i madh nga ana jonë dhe do të jetë pa dyshim edhe stimuli për të bërë edhe më mirë në ndeshjet e ardhshme. Më i miri në fushë? Nëse do të kisha pasur një buqetë me lule do ia kisha shpërndarë të gjithëve, pasi realisht më habitën, më pëlqyen dhe i falënderoj për atë që na dhanë të gjithëve”, u shpreh Nagelsman.
PANORAMASPORT.AL