Ange Postekoglu ka bërë nisjen më të mirë të karrierës në Premier Ligë nga çdo trajner në historinë e kompeticionit. Trajneri i Totenhemit ka grumbulluar 23 pikë nga nëntë ndeshjet e tij të para në Premier Ligë, më shumë se kushdo tjetër.
Postekoglu, 58 vjeç, udhëhoqi “spërsat” në një fitore 2-0 ndaj Fulhamit të hënën, të cilave u shtohen edhe sukseset ndaj Mançester Junajtidit, Bornmëthit, Bërnlejt, Shefilld Junajtidit, Liverpulit dhe Lutonit. Dy barazimet e Totenhemit erdhën në ndeshjet jashtë fushe kundër Brentfordit dhe Arsenalit, të dyja përfunduan 2-2. Greko-australiani ka shumë arsye për të qenë i kënaqur me nisjen e aventurës së tij në kampionatin më të fortë.
Gus Hidink dhe Majk Uoker kanë rekordin e dytë më të mirë të trajnerëve në 9 ndeshjet e tyre të para në Premier Ligë: të dy kanë grumbulluar 22 pikë, një më pak se Postekoglu. Hidink e vendosi rekordin në vitin 2009, kur ai mori postin e trajnerit të përkohshëm të Çelsit pas largimit të Luiz Felipe Skolarit. Uoker ndërkohë, ishte në stolin e Noruiçit në sezonin e vitit inaugurues të Premier Ligës në 1992. Mauricio Sarri, Frenk Klark dhe Tomas Tuhel ishin të pamposhtur në 9 ndeshjet e tyre të para të Premier Ligës, duke marrë 6 fitore dhe 3 barazime.
Sarri dhe Tuhel bënë një nisje mbresëlënëse të karrierës së tyre te Çelsi, ndërsa Klark pasoi Brajan Klafin në stolin e Notingem Forestit. Karlo Ançeloti, Unai Emeri dhe Xhon Gregori gjithashtu fituan 21 pikë në 9 javët e para, duke fituar 7 dhe duke humbur 2 respektivisht në pankinën e Çelsit, Arsenalit dhe Aston Vilës. Pep Guardiola regjistroi 20 pikë nga 9 javët e tij të para te Mançester Siti në vitin 2016. “Qytetarët” fituan 6 ndeshjet e para nën drejtimin e tij, përpara se të mundeshin 2- 0 nga Totenhemit dhe pasuan barazimet në shtëpi me Evertonin dhe Sauthemptonin. Ndërsa Poçetino dhe Klop fituan vetëm 12 pikë në 9 ndeshjet e tyre të para të kampionatit në krye të Sauthemptonit dhe Liverpulit.
PANORAMASPORT.AL