Trajneri turk i futbollit, Hikmet Karaman e konsideron Kosovën një kundërshtar shumë të fortë dhe paralajmëron se Turqinë nuk e pret një ndeshje e lehtë në finalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026, që luhet të martën në Prishtinë.
Ai, në një intervistë për gazetën Hurryet, thekson se kjo është një ndeshje vendimtare dhe shumë e vështirë për kombëtaren e tij.
“Para ndeshjes Sllovaki–Kosovë, të gjithë thoshin ‘shpresoj të mos vijë Sllovakia’, por pasi e panë ndeshjen, thanë ‘do të ishte më mirë të vinte Sllovakia’. Kosova është vërtet një ekip fantastik. Mesfusha jonë dhe mbrojtja duhet të luajnë shumë mirë. Duhet të luajmë me gabime minimale, përfshirë edhe portieri”, tha ai, përcjellë KosovaPress. “Kundër Kosovës duhet të luajmë shumë më mirë se ndaj Rumanisë, madje edhe më mirë se pjesa e dytë e barazimit 2-2 kundër Spanjës”.
Sipas tij, Kosova është një skuadër e organizuar dhe e rrezikshme dhe këtë e vërteti edhe në grupin kualifikues për Kupën e Botës, jo vetëm ndeshjen Sllovaki–Kosovë.
“Zvicra, Sllovenia dhe Suedia, që ishin në grupin e Kosovës, janë ndër skuadrat më të mira për mbrojtjen zonale, tranzicionet, kundërsulmet dhe goditjet standarde. Dhe Kosova doli nga ai grup. Kushtoni vëmendje! Ata e mundën Suedinë në të dy ndeshjet, fituan 2-0 në transfertë ndaj Sllovenisë dhe barazuan me Zvicrën që doli e para në grup. Pra, nuk na pret një ndeshje e lehtë”, deklaroi Karaman.
Trajneri i më shumë se 10 skuadrave turke paralajmëroi po ashtu edhe për atmosferën në stadium dhe motivimin e lartë të vendasve.
“Do të luajmë në transfertë, tifozët e Kosovës do ta mbështesin jashtëzakonisht shumë ekipin e tyre dhe shpallja e bonuseve rekord nga kryeministri i tyre do të jetë një motivim shtesë për ta. Nuk e di kur do të shkojë kombëtarja jonë atje, por është e rëndësishme që ta përjetojnë herët atmosferën e stadiumit. Sepse kjo është një ndeshje e vetme; fituesi shkon në Kupën e Botës”, tha ai.
Karaman tha se Kosova është një ekip shumë i forte, pason shumë mirë në tranzicion dhe nën presion”, është veçanërisht efektiv në kundërsulme, krosime dhe goditje standarde, ndërsa shtoi se trajneri Franco Foda cilësohet si shumë i përgatitur.
Karaman u pyet cilëve lojtarë duhet t’u kushtohet më shumë vëmendje te Kosova.
“Vedat Muriqi nuk duhet të marrë topin në asnjë mënyrë. Ai është jashtëzakonisht efektiv si në krosime ashtu edhe në situata një kundër një, duke e mbajtur topin dhe duke pritur që mesfushorët t’i afrohen:, tha ai. “Mesfushori i tyre me numër 8, Florent Muslija, është një lojtar fantastik. Edhe portieri i tyre, Muriç, ka përvojë në Serie A”.