Fati është shumë i rëndësishëm në jetë, po aq sa edhe në karrierën e një futbollisti. Besëtytnitë të imponojnë idenë se çdo e keqe që bëhet në këtë jetë, është e tillë që do të marrë një shpagim. Në fakt, kjo bëhet krejtësisht e besueshme kur flitet për ata që kanë tradhtuar gjakun e tyre.
Për ata futbollistë që kanë refuzuar Kombëtaren së cilës i përkasin. Sotir Nini, është një prej rasteve konkrete, që me dokumentacion ka preferuar të quhet Sotiris Ninis. Tashmë në moshë 33-vjeccare, dështimi vazhdon ta përndjekë në karrierën e tij futbollistike.
Ndeshja e fundit që Ninis është aktivizuar, daton më 1 prill 2023, kur ishte pjesë e PAS Janinës, teksa së fundmi, mesfushori 33-vjeçar ka ndërprerë bashkëpunimin me këtë të fundit dhe tashmë ka mbetur pa ekip. Me skuadrën nga Janina, Ninis, u aktivizua nëntë ndeshje duke mos shënuar asnjë gol.
Lojtari ofensiv nga Himara debutoi me kombëtaren greke në majin e vitit 2008. Ai mbërriti deri te Parma në Serie A, por karriera mori për poshtë më pas.
Dhe kjo është hera e pestë në karrierë që futbollisti i lindur në Shqipëri mbetet pa skuadër. Gjatë karrierës së tij, Ninis ka luajtur edhe me skuadra si Panathinaikos, PAOK, Çarleroi, Meçelen, Petah Tikva, Ashkelon dhe Volos.
PANORAMASPORT.AL