Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për tre talentët shqiptarë që po zhvillohen te gjiganti gjerman Bayern Munich, Arijon Ibrahimoviç, Yll Gashi dhe Erblin Osmani, duke shprehur shpresën se në të ardhmen ata do të zgjedhin ta përfaqësojnë Kombëtaren e Kosovës.
Në emisionin SportCast, Ademi bëri të ditur se FFK-ja ka mbajtur kontakte me futbollistët dhe familjet e tyre, ndërsa theksoi se vendimi përfundimtar u takon vetë lojtarëve.
“Jo vetëm me Ibrahimoviçin, por edhe me Osmanin që ka nënshkruar kontratë. Edhe Ibrahimoviçi, edhe Yll Gashi të cilët janë në Bayern, iu uroj të treve për kontratat e mira që i kanë bërë. Dhe falënderoj Bayernin që i ka vlerësuar, dhe po më duket vetja që sikur me i pas dy treshe tash, një treshe e kemi në Hoffenheim dhe një treshe tjetër në Bayern. Kjo do të ishte kënaqësi. Sigurisht që ne i kemi ofruar mundësitë tona dhe ju kemi treguar që jemi të interesuar, është çështje e tyre të vendosin, shpresoj që të vendosin me zemër të drejtë”, theksoi Ademi.
Ai zbuloi gjithashtu se FFK-ja ka kontakte të vazhdueshme me Erblin Osmanin, i cili së fundmi ka nënshkruar kontratë me Bayern Munich, duke theksuar se prioriteti i tij dhe i dy futbollistëve të tjerë duhet të jetë zhvillimi në klub.
“Po, po ju me siguri e dini që Erblini ka qenë në Kosovë edhe ka qëndruar nëpër ambientet tona, bashkë me familjen e tij, po edhe në Kosovë, po edhe në objektet tona të federatës domethënë. Kështu që jemi në kontakte të mira. Ai është i ri, do të stabilizohet dhe do të vendoset në Bayern. Ne ia duam gjithsesi të mirën dhe ju kemi thënë që të treve, që ju, edhe Yll Gashit edhe këtij, sidomos këtij edhe Ibrahimoviçit, që ata tashmë të fokusohen në klub, që të jenë aty, që të ngelen në Bayern, dhe të konkurrojnë për vendet e tyre të mundshme”, bëri të ditur Ademi.
Presidenti i FFK-së ritheksoi se Kosova mbetet e interesuar për t’i pasur në radhët e saj tre talentët, por nënvizoi se zgjedhja përfundimtare do të jetë vendim personal i secilit prej tyre, me shpresën që ata ta përfaqësojnë vendin me bindje dhe zemër.