Wednesday, 18. February 2026
Sport

Trepça e Bashkimi në kërkim të triumfit në Kupë

GS 18/02/2026 2 Min. Lesezeit

Një prej dueleve më të rëndësishme të këtij sezoni në basketbollin e Kosovës, zhvillohet sot prej orës 19:30 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

Trepça dhe Bashkimi, dy skuadrat që kanë shfaqur formën më të mirë këtë sezon, do të përballen në finalen e Kupës së Kosovës.

Në Superligë, Trepça prinë në tabelë me 37 pikë, tri më shumë se Bashkimi por që të dyja skuadrat fokusin e kanë te trofeu i Kupës së Kosovës.

Palestra në Rahovec do të jetë e stërmbushur, duke pasur parasysh se biletat janë shitur një ditë para finales dhe pjesëmarrja do të jetë masive, përfshirë këtu edhe tifo-grupet “Torcida” e “Arpagjikt” që do të jenë në përkrahje të ekipeve të tyre.

Trepça ka dominuar në Kupën e Kosovës, pasi kjo është finalja e pestë rresht për ekipin nga Mitrovica që ka triumfuar në katër finalet paraprake kurse në total ka fituar tetë Kupa të Kosovës.

Për Bashkimin, kjo është finalja e dytë rresht kurse Kupën e Kosovës nuk e ka fituar që nga vitit 2001, triumfi i vetëm në këtë garë për ekipin nga Prizreni që i ka të humbura tetë finale.

Finalja e këtij sezoni, do të jetë reprizë e finales së sezonit të shkuar por që mbetet të shihet se cila skuadër në fund do ta fitojë Kupën e Kosovës.

Sezonin e shkuar, Trepça pati mposhtur Bashkimin me shifrat 85:79 në finalen e luajtur në Prishtinë.

Teilen: