Sunday, 15. March 2026
Sport

Trepça fiton derbin ndaj Bashkimit

GS 15/03/2026 3 Min. Lesezeit

Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të xhiros së 24-të në elitën e basketbollit kosovar.

Trepça vazhdon me formën e mirë në këtë sezon të garave, duke fituar bindshëm derbin ndaj Bashkimit me rezultat 89:71, ndeshje e luajtur në palestrën “Sezai Surroi”.

Me këtë fitore, Trepça ‘blindon’ kreun e tabelës para fazës së plejofit, katër xhiro para përfundimit të sezonit të rregullt. Mitrovicasit kanë grumbulluar 45 pikë, pesë më shumë se Bashkimi që renditet në vendin e dytë.

Edhe këtë herë, Trepça dominoi ndeshjen ndaj Bashkimit, pavarësisht mungesës së lojtarëve kryesorë Shawn Jones dhe Akili Vining. Lojtari më i dalluar ishte Mustapha

Amzil, i cili shënoi 23 pikë, grumbulloi tri kërcime dhe dha dy asistime.

Ja’cori Payne kontribuoi me 17 pikë, pesë kërcime dhe tri asistime, ndërsa Mikaile Tmushiq shtoi gjashtë pikë, nëntë kërcime dhe katër asistime.

Te Bashkimi spikati Dequon Lake me 16 pikë dhe gjashtë kërcime, ndërsa Valon Bunjaku realizoi 12 pikë dhe grumbulloi tetë kërcime.

Kjo është fitorja e 16-të radhazi për Trepça në Superligë, duke konfirmuar dominimin e tyre absolut gjatë këtij sezoni.

Ndërkohë, fitore të rëndësishme ka shënuar edhe Bora duke mundur në udhëtim Pejën, me rezultat 80:72 në një sfidë mjaft interesante.

Takimi i zhvilluar në palestrën “Karagaçi” solli një përballje të fortë mes dy skuadrave, ndërsa për ekipin pejan kjo ishte humbja e pestë radhazi në kampionat, duke e thelluar krizën e rezultateve.

Ndeshja nisi më mirë për mysafirët nga Prishtina, të cilët fituan çerekun e parë me shifrat 23:18. Megjithatë, vendasit reaguan dhe në pushimin mes dy pjesëve shkuan me epërsi minimale 41:39.

Peja arriti ta ruajë avantazhin edhe pas çerekut të tretë, kur rezultati ishte 58:53 në favor të tyre, por në periudhën e fundit Bora tregoi forcë të madhe duke përmbysur rezultatin dhe duke siguruar fitoren 80:72.

Te Bora u dallua Shaquan Jules me një paraqitje të dyfishtë, duke realizuar 18 pikë dhe 10 kërcime, ndërsa më efikasi ishte Tyler Cheese me 25 pikë dhe katër asistime.

Në anën tjetër, te Peja spikati Cesare Edwards me nëntë pikë dhe nëntë kërcime, ndërsa më i dalluari në aspektin ofensiv ishte Daquan Bracey me 19 pikë.

Pas kësaj fitoreje, Bora zë pozitën e tretë në tabelë me 37 pikë, ndërsa Peja mbetet në vendin e pestë me 34 pikë.

Teilen: